Allegri: Nuk mendojmë për Barcelonën

allegro

“Duhet të përqendrohemi tek arritja e vendit të tretë dhe jo tek Barcelona.” Kjo është motoja me të cilën Massimiliano Allegri përgatit kuqezinjtë për ndeshjen e sotme ndaj Genoa.

Në këtë mënyrë nuk do të ketë ruajtje të lojtarëve në kuadër të supersfidës së ditës së martë, ku Milani do të përballet me Barcelonën për një vend në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve.

“Balotelli nuk do të luajë nga fillimi pasi vetëm të mërkurën është bashkuar në stërvitje me grupin, ndërsa Pazzini është mirë. Kam edhe alternativa të tjera si Niang dhe Bojan”, deklaroi tekniku i kuqezinjve.

Më pas, Allegri saktësoi se objektivi real i Milanit është vendi i tretë në Serinë A dhe jo Liga e Kampioneve: “Shpresojmë të vazhdojmë më tej në Champions League, por nëse ndodh diçka negative e dimë që prioriteti ynë është vendi i tretë. Nuk mendoj për ndeshjen e ‘Camp Nou’ sepse një ndeshje e tillë përgatitet vetë, ndërsa vendi i tretë duhet luftuar deri në fund”.

Gjithashtu, trajneri livornez shton se në Ligën e Kampioneve bëjnë diferencën episodet e vogla: “Këtë gjë e ka treguar historia. Chelsea e fitoi vjet kur e meritonte më pak dhe për këtë arsye përsëris se kemi objektiv vendin e tretë në Serinë A.”