Allegri: Kur luan kundër Barcelonës nuk ndihesh i qetë

allegri

Gjatë konferencës për shtyp, trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri deklaroi se kundër Barçës nuk ndihet favorit pavarësisht fitores në “San Siro” me rezultatin 2-0.

“Nuk ndihemi aspak favorit dhe besoj se ndeshja kundër Barcelonës do të jetë e vështirë. Nisemi nga 2-0 e ndeshjes së parë, por do të zbresim në fushë shumë të përqëndruar. Kur luan kundër Barcelonës nuk ndihesh i qetë. Isha kurioz të shikoja skuadrën të luante kundër Barcelonës dhe tani që nisemi nga 2-0 jam kurioz të shikoj se si do të përfundojë kjo sfidë”.


Conte: Do të bëj tifo për Milanin në duelin kundër Barcelonës

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, ka bërë të ditur se në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, mes Barcelonës dhe Milanit, ai do të mbështesë konkurrentin e Juventusit në Serie A, Milanin. “Do të bëj tifo për Milanin në duelin kundër Barcelonës, sepse është klub italian. Kanë një skuadër të përforcuar dhe të re, prandaj janë kundërshtarë të rrezikshëm edhe në Serie A”, deklaruar Antonio Conte.


Galliani: Është një sfidë e madhe

Skuadra e Milanit është nisur për në Barcelonë. Shefi ekzekutiv i kuqezinjve Adriano Galliani është shprehur optimist për ndeshjen. Në një deklaratë para nisjes në aeroportin e Malpensas, ai u shpreh se është një sfidë e madhe por edhe mund t’ia dalin.

“Sigurisht është një sfidë e madhe, e kthyer në një traditë mes dy klubeve të mëdha. Është një sfidë e pafund, por është gjithmonë bukur të luash me ta. Nuk duhet të mendojmë që t’ia nismin nga 2-0. Do të gjejmë 100 mijë tifozë në ‘Camp Nou’ dhe një mjedis të nxehtë. Ne jemi të gatshëm për të luajtur, por do të përballemi me ekipin më të fortë në botë, dhe me një ‘përbindësh’ si Messi i cili shënon në një vazhdimësi mbresëlënëse”, thekson Galliani i cili shprehu keqardhjen që Giampaolo Pacini nuk do të jetë në fushë pas dëmtimit që ai pësoi në ndeshjen kundër Genoas.

Skuadra e Milanit pritet të futet në fushën e lojës me skemën 4-5-1. Në këtë sistem në mesfushë pritet të jenë Muntari, Ambrosini, Montolivo, Boateng e Nocerino. Sulmuesi i vetëm do të jetë El Shaarawy. Zapata, Mexes, Constant e De Sciglio pritet të jenë në mbrojtje.


Sacchi: Barcelona ka rënë nga forma

Arkitekti i skuadrës së Milanit në fund të shekullit të kaluar dhe ish-përzgjedhësi i kombëtares italiane, Arrigo Sacchi, mendon se skuadra e Masimiliano Alegrit ka gjasa të mëdha për ta eliminuar Barcelonën, në 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve. “Do të jetë kjo një ndeshje shumë e vështirë për të dyja skuadrat. Barcelona duhet t’i kompensojë dy gola, kurse Milani duhet ta mbrojë atë epërsi. Barcelona nuk është duke luajtur aq mirë si më parë. Është vështirë të luhet gjithmonë në atë nivel në të cilin na kishte mësuar. Mendoj se Barcelona ka rënë nga forma pas asaj epërsie të madhe të krijuar në kampionat. Në Ligën e Kampionëve duhet të jeni gjithmonë në nivelin e lartë”, ka theksuar Sacchi.

Ai mendon se ka shumë faktorë që kanë ndikuar në rënien e ritmit të Barcelonës. “Së pari shkoi Guardiola, pastaj u sëmurë Tito Vilanova. Në kampionat krijuan epërsi të pakapshme ndaj rivalëve. Të gjitha këto janë arsye që Barcelona ndjen lodhje. Barcelona është një nga skuadrat më të mëdha në botë. Por, ajo nuk mund të kthehet në formën e saj më të mirë brenda një dite. Ata do të mundohen ta frikësojnë Milanin me një presion të madh që nga fillimi i ndeshjes. Nëse ia arrijnë këtij qëllimi, atëherë do të kenë gjasa për t’u kualifikuar në fazën e ardhshme”, ka përfunduar Sacchi.