Allegri: Barça e jashtëzakonshme, me pak më shumë fat; Roura: Barcelona iu përgjigj kritikave

allegri-roura

Trajneri Masimiliano Allegri e pranon se Barcelona ishte më e fortë se Milani i tij. Por ai thekson se edhe fati nuk ishte nga ana e “Djallit”, pasi në të kundërt rezultati do të ishte ndryshe. “Mendoj se këtë mbrëmje Barcelona bëri një ndeshje të jashtëzakonshme”, – tha ai me një pamje të qetë dhe me zë aspak të tensionuar. “Ne besuam deri në fund. S’i dihej, ndoshta me pak më shumë fat. Kjo ishte një mbrëmje që ne do të na bëjë të rritemi”.

Analiza e teknikut nuk mund t’i bëjë bisht ndeshjes së jashtëzakonshme të vendësve. “Barcelona bëri një sfidë fantastike. Ne vuajtëm shumë, sidomos gjatë 30 minutave të para. Kjo edhe falë paraqitjes së madhe që Messi bëri. Por pavarësisht të gjithave, në pjesën e parë ne u treguam të zotë që t’i përballonim ata. Edhe pse na kishin shënuar dy gola, blaugranat na vunë nën një presion të madh. Ata u treguan tepër të zotë kur na bënin presing, por ne patëm edhe rastin me anë të Niangut, kur loja ishte 1-0 në favor të tyre. Ndoshta me pakëz fat tani mund të flisnim për një tjetër përballje”.

Për një gjë ai është i sigurt: “Djemtë e mi ishin të zotë, sepse bënë që ky kualifikim të luhej gjer aty sa të shkonte në fije të perit. Sigurisht që na vjen keq për këtë humbje, të gjithëve, veçanërisht lojtarëve, të cilët dëshironin të realizonin një arritje të madhe. Por jam i mendimit se ndaj kësaj Barcelone ishte me të vërtetë e vështirë. Më vjen keq, sepse pritshmëritë ishin të mëdha pas rezultatit të parë. Nuk do të ishte e drejtë që ta ngjyrosnin këtë eliminim si një gjysmëdështim. Në 180 minuta ata e merituan kualifikimin dhe në këtë mbrëmje ishin fantastikë”.

Tekniku i “Djallit” pas eliminimit nga Liga e Kampioneve tani ka vetëm një objektiv. “Tani synimi ynë është që të arrijmë kualifikimin në Champions League në sezonin e ardhshëm. Djemtë nuk duhet të demoralizohen nga kjo humbje që pësuam. Përkundrazi, kjo sfidë duhet të shërbejë për të rritur akoma më shumë grupin për eksperiencat pasardhëse. Sigurisht që na vjen keq, por duhet të shikojmë përpara. Në këtë eliminim që pësuam, ishte më shumë meritë e Barcelonës, sesa për faj të gabimeve tona”.

Në javët e fundit ishin kritikuar shumë, por lojtarët e Barcelonës treguan edhe një herë tjetër se sa vlejnë me topin në këmbë. Jordi Roura, zëvendëstrajneri i Barcelonës, deklaroi pas fitores 4-0 ndaj Milanit se katalanasit iu përgjigjën më së miri kritikave.

“Messi dhe lojtarët e tjerë janë kritikuar shumë, por sot reaguan duke mbyllur gojët e liga. Messi luan një futboll të veçantë dhe jemi të lumtur që do të vazhdojmë aventurën në Champions League”, theksoi Roura.

Ndërsa Dani Alves, mbrojtësi i cili kishte deklaruar se Messin e kishte parë të rënë moralisht në ndeshjet e fundit, deklaroi pas ndeshjes: “Messi i tregoi të gjithëve se katër Topa të Artë nuk fitohen rastësisht”.