Alket Rizai: Nuk jam as djall, as engjëll

alket-rizai


I burgosuri më i famshëm shqiptar në Greqi, Alket Rizai, ka dalë të enjten para trupit gjykues në Lamia, i akuzuar për ngjarjen e 17 Marsit 2013, në burgun e Malandrinos.

Atëherë, Rizai kishte mbajtur peng pesë gardianë të burgut, duke kërcënuar se do të hidhej në erë, po të mos e linin të arratisej.

Pengmarrja kishte përfunduar pas 24 orësh, me ndërhyrjen e forcave speciale. Alket Rizai, pas negociatave, më në fund ishte dorëzuar. “Bomba” me të cilën kërcënonte Rizai, ishte veçse një radio me tranzistor.

Duke folur para gjykatësve, Alket Rizai tha se nuk donte t’u bënte keq gardianëve. Sipas mediave lokale, Rizai tha para trupit gjykues se “Të gjithë të burgosurit kanë të drejtën e lirisë, mjaft që mos t’u bëjnë dëm të tjerëve”.

I pyetur nga prokurori për të kaluarën e tij, Alket Rizai tha se u gjend për herë të parë në burg, për faj të gjyqtarëve. “Prandaj morën helikopterin e parë dhe u arrestisëm”, shtoi Rizai, i cili është bërë i famshëm për dy arratisjet e tij me helikopter nga burgu, në vitet 2006 dhe 2009.

“Nuk jam as djall, as engjëll”, ka deklaruar Rizai gjatë procesit gjyqësor, që u zhvillua nën masa shumë të rrepta sigurie.

Në përfundim, Alket Rizait i është komunikuar dënimi me 10 vjet e 8 muaj burg, si dhe 5 vjet privim të të drejtave politike.

Kjo masë e re dënimi i shtohet 25 vjetëve burg që i janë dhënë më herët për dy arratisjet, ndërkohë që është dënuar tri herë me burgim të përjetshëm, i akuzuar për tri vrasje, të cilat ai pretendon se nuk i ka kryer.