Alegri: Do luaj me tre sulmues ndaj Barçës

Alegri1-300x186

Gjatë konferencës së zakonshme për shtyp në prag të ndeshjes me Barcelonën, trajneri i Milanit, Masimiliano Aleri, zbulon pa iu dridhur qerpiku i syrit se kuqezinjtë do të luajnë në “Kamp Nou” me tre sulmues, duke përgënjeshtruar kështu mediat spanjolle, të cilat flisnin për një lojë ofensive nga ana e formacionit të “Djallit”: “E dimë që do jetë e vështirë dhe se ne duhet të luajmë akoma më mirë seç bëmë në ‘San Siro’. Barcelona nuk do luajë si atëherë, ndërsa ne duhet të harrojmë se kemi fituar 2-0. Nëse djemtë do tregohen të zotët, do kalojmë një tjetër natë të paharrueshme. Nëse do të mendoj për kohën shtesë? Mendoj vetëm për dy rezultate që kam në dispozicion: barazimin dhe fitoren”. Alegri fton djemtë e tij të ruajnë qetësinë dhe t’i përmbajnë emocionet: “Duhet të zbresim në fushë me idenë se duhet të bëjmë një gol. Ndoshta do të jetë Barcelona që do marrë në dorë timonin e ndeshjes, siç e ka zakon. Megjithatë unë kam besim te djemtë e mi”. Alegri i ka idetë e qarta për sa i përket formacionit dhe siguron se mbrojtësi francez Filip Mekses është më mirë fizikisht: “Meksesi është drejt përmirësimit. Por nuk e kemi vendosur akoma. Në formacion do të luajmë me tre adoleshentë, një i datëlindjes ’94 dhe dy ‘92-sha. De Shiljo në mes të mbrojtjes? E shikoj të rrezikshme të luajë në qendër, për këtë rol duhet një lojtar me më tepër eksperiencë”. Për sa i përket sulmit Alegri ka disa alternativa: “Më vjen keq për Pacinin, e meritonte një mbrëmje të tillë. Megjithatë kemi Niangun, që mund të luajë mjaft mirë në atë rol. Pastaj të mos harrojmë edhe Robinjon së bashku me Bojanin, të cilët gjatë këtyre ditëve janë stërvitur mjaft mirë”. Alegri nuk harron Tito Vilanovën, që vazhdon luftën e tij kundër tumorit”: “Prezenca e tij do të kishte kompletuar këtë festë sportive. Por të mos harrojmë që edhe presidenti Berluskoni aktualisht ndodhet në spital. Unë shpresoj shumë që për t’ia përmirësuar gjendjen presidentit tonë, ne të sigurojmë kualifikimin për në çerekfinale”.

“Jemi të vdekur po s’shënuam”
Kapiteni Masimo Ambrozini e ka gati recetën që duhet të ndjekë Milani për të siguruar kualifikimin për në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve në dëm të Barcelonës: “Është një sfidë, e cila duhet interpretuar saktë dhe me disiplinë nga të gjithë ata që do të zbresin në fushë. Ne jemi të bindur se nëse do mendojmë vetëm për t’u mbrojtur, ata do të na shpartallojnë. Barça është një skuadër me kampionë të mëdhenj dhe ne as që nuk mund ta imagjinojmë dot të mbrohemi për 90 minuta pa u përpjekur për të shënuar”. Ambrozini e thotë troç: “Ne duhet të përpiqemi të shënojmë të paktën një gol. Historia e futbollit na tregon se për ta mundur këtë skuadër nuk mund të mendosh vetëm për t’u mbrojtur. Ne duhet të arrijmë të ndërtojmë diçka. Nëse nuk ia dalim mbanë, jemi të vdekur”.

MONTOLIVO
Mesfushori i Milanit, Rikardo Montolivo, e ka komentuar kështu takimin kundër Barcelonës: “Për mua kjo është me të vërtetë një ndeshje speciale. Kam kohë që ëndërroj të luaj në një stadium si ky i ‘Kamp Nout’. Për fat, ekipi fizikisht dhe psikologjikisht është mirë. Mendoj se do të bëjmë një ndeshje të bukur. Për mendimin tim Barcelona nuk është e pathyeshme, dhe ne nëse do ndjekim këshillat e Alegrit, atëherë mund të sigurojmë kualifikimin”

BOATENG
Mesfushori i Milanit, Kevin Princ Boateng, ka një parashikim të tijin për sa i përket ndeshjes Barcelona-Milan: “Si gjatë ndeshjes së parë, edhe në prag të kësaj sfide, të gjithë shikojnë favorite Barcelonën. Por unë ju them se ky Milan mund të fitojë me të njëjtin rezultat që fitoi në ‘San Siro’ edhe në ‘Kamp Nou’. Spanjollët janë një ekip i fortë, por Milani po kalon një moment të jashtëzakonshëm fizikisht dhe psikologjikisht”.