Alarmi mbi tmerrin që po pushton të rinjtë/Çfarë është kraku, droga që po bëhet trend tek ne

Përveç kanabisit dhe lëndëve narkotike të tjera, një tjetër lloj droge po konsumohet nga të rinjtë shqiptarë.

Kraku, ose e thënë ndryshe marrja e kokainës në formë djegieje me bidon ose me llullë, është trendi më i ri që ka vënë në alarm policinë dhe institucionet e tjera përgjegjëse.

Trendi i ri i përdorimit të krakut konfirmohet edhe nga Shërbimi i Toksikologjisë, ndërsa një prej përdoruesve nuk nguron të tregojë pasojat e kësaj droge në organizmin e tij.

Droga është në modë. Kjo është fatkeqësia më e madhe e shoqërisë shqiptare. Kalimi nga përdorimi i përditshëm i kokainës te kraku vjen si pasojë e konsumimit të lartë të kokainës së pastër.

Duke kaluar te kraku, shkatërrimi është total. Nga ana sociale shkatërron këdo që del përpara, është një tajfun i frikshëm, ose ortek që merr gjithçka ka përpara. Të shkatërron nga të gjitha drejtimet, moralisht, besueshmërisht me njerëzit.

Shkatërron figurën dhe karakterin tënd, por edhe ekonomikisht. Nëse je konsumator i rregullt i krakut, shkatërrohet edhe miliarderi më i madh që del përpara”, thotë përdoruesi për TCH.

Sipas studimeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi ku konsumohet më shumë krak, ndërsa në Shqipëri, mosha e përdorimit të saj varion nga 25 deri 45 vjeç. Një gram kokainë që përdoret si krak, në Shqipëri kushton nga 8 deri 12 mijë lekë, në varësi të cilësisë.