Alarm për Arktikun, po bëhet gjithnjë e më i gjelbër

loading...

poshte-2-300x199

loading...

Një studim i ri i shkencëtarëve që kanë ekzaminuar të dhënat satelitore të mbledhura në 30 vjet, thonë se ndryshimet e shpejta klimaterike po ndryshojnë fytyrën e Polit të Veriut. Dimri gjithnjë e më i butë dhe i shkurtër ka shtuar sipërfaqet e gjelbra të Siberisë dhe Kanadasë 

Klimatologët e kishin paralajmëruar prej vitesh, por tani është bërë fakt i kryer: Veriu i Madh, mbretëria e dhelprës arktike po gjelbërohet. Kushtet klimaterike boreale (veriore), ato që i japin origjinën ekosistemit të dominuar nga pyjet e mëdha halore, kanë bërë që sipërfaqja e tij të përparojë me 4-5 gradë gjerësi drejt Veriut, duke zëvendësuar tundrën arktike. Ndryshimi stinor i periudhës vegjetative përshtatet me ndryshimin klimatik dhe në veçanti me dimrin më pak të ashpër dhe gjithnjë e më të shkurtër në këtë territor. Studimi është kryer nga një skuadër ndërkombëtare e përbërë nga 21 shkencëtarë, që i përkasin 17 organizmave kërkimore në shtatë shtete: SHBA, Norvegji, Finlandë, Kinë, Rusi, Zvicër, Francë dhe është publikuar në revistën “Nature Climate Change”.

“Impakti thelbësor që kemi vëshguar në këtë mjedis është një rritje e qartë e prodhimit të bimësisë në zonat cirkumpolare”, thotë Brus Forbes nga “Arctic Center” i universitetit të Laponisë në Finlandë. Për të mbërritur në këtë përfundim, studiuesit kanë ekzaminuar të dhënat mbi ndryshimin e shtresës bimore dhe të dhënat  klimaterike të mbledhura përgjatë 30 viteve nga matjet satelitore. Ekosistemi verior në sintezë, po lëviz me 7 gradë gjerësi drejt hemisferës veriore e barazvlefshme me 800 km. Pra bëhet fjalë për 9 milionë kilometra katrorë territor që po ndryshon pamje (aq sa sipërfaqja e SHBA-së.

Sipas shkencëtarit të NASA-s, Kompton Tuker, në një periudhë të shkurtër kohe, ngrohja e territorit, ka sjellë reduktimin e mbulesës së borës dhe tani më shumë se një e treta e rajoneve veriore nënpolare ka pësuar një shtim të bimësisë me karakter më jugor. Por sipas tij, jo të gjitha ndryshimet mjedisore ndodhin në të njëjtën kohë: zgjerimi i sipërfaqes së zonave bimore nuk ecën me ritmin e ndryshimeve në klimë. Për momentin, pyjet boreale halore janë ende aty ku ndodheshin 30 vite më parë. “Megjithatë ndryshimet në tundër ekzistojnë dhe ne po i vëzhgojmë. Shkurret janë bërë më të forta dhe më të larta”, thotë Forbes, një detaj ky që nomadëve të tundrës siberiane u kishte rënë në sy kohë më parë. Shumë bimë rriten në lartësi që prej 30-40 vjetësh dhe për ta ky është një problem sepse gjatë migrimeve, duke u sjellë rrotull tundrës me shkurre të dendura dhe të larta, ata mund të humbin nga sytë anëtarë të grupit.

Deri në fund të shekullit, megjithatë ka mundësi të ndodhë një shtrirje vegjetative drejt Veriut me 20 gradë gjerësi. Ky është një informacion i rëndësishëm, por mbi të vetë shkencëtarët kërkojnë të tregohet  kujdes. “Nuk e dimë çfarë ngjarjesh natyrore ose të shkaktuara nga njeriu do të ndërhyjnë në ndryshimet klimatike gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, kështu që projektimet afatgjata duhet të interpretohen me kujdes”, thotë Forbes. Një shekull është i gjatë, por shumë shkencëtarë mendojnë se jemi vetëm një hap larg nga pika e moskthimit, ku edhe një aksion i fuqishëm për të frenuar ndryshimet në klimë do të ishte i kotë.

Përgatiti: Dorina Gjuzi

loading...