Aksidentoi për vdekje policin, dënohet djali i ish-deputetit të PS

loading...

loading...

Deklarohet fajtor djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste, i akuzuar për aksidentin me pasojë vdekjen e një polici.

Më konkretisht, Arnold Kola, djali i ish-deputetit të PS, Ndue Kola mbrëmjen e 25 shtatorit të vitit 2016, përplasi për vdekje një oficer policie në bulevardin e Kamzës. Gjykata e Tiranës e ka shpallur fajtor të riun nën akuzën e veprës penale “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe e ka dënuar atë me 2 vjet e 6 muaj burg.

Dënimi ndaj tij është dhënë në fund të muajit korrik, ku gjyqi është kryer me procedurë të shkurtuar. Ndërkohë i pandehuri, mësohet se e ka apeluar vendimin e shkallës së parë të gjyqësorit duke mos e pranuar atë.

23- vjeçari, drejtonte në gjendje të dehur makinën tip fuoristradë “Lexus” në afërsi të shkollës “Ibrahim Rugova” në Kamëz, kur përplasi furgonin e policisë, i cili po patrullonte me 20 km/orë në anë të rrugës.

Për pasojë u shkaktua vdekja e efektivit të policisë Ervin Haxhia 42 vjeç, ndërsa u plagosën kolegët e tij Besmir Voi dhe Neil Hoxha.

Pas përplasjes automjeti i Arnold Kolës është përplasur edhe me trafikndarësin duke u përmbysur dhe zhvendosur për 40 metra nga vendi i ngjarjes.

Nga ana e tij, i pandehuri Arnold Kola rreth ngjarjes ka pohuar se ditën e ngjarjes ai ka qene tek disa të njohur ku edhe ka konsumuar alkool. Më pas ai është nisur në drejtim të Tiranës me automjetin e tij, i cili ka qenë vetëm në të.

Ngjarja ka ndodhur në shumë pak sekonda dhe nuk i kujtohet sesi e ka goditur pasi ka dalë nga rruga duke përfunduar me mjetin të përmbysur./Noa/

loading...