Ajax feston titullin e 33, De Boer shkruan historinë

0

Ajaxi i Amsterdamit shpallet zyrtarisht kampion i Holandës, pasi e siguroi titullin e 33 në histori një javë përpara përfundimit të sezonit me barazimin 1-1 në fushën e Heracles. Harkëtarëve i mjaftonte vetëm një pikë për të festuar për të katërtin vit radhazi nën drejtimin e Frank DeBoer, i cili po shkruan historinë e klubit më të kuotuar në Holandë jo vetëm si futbollist por edhe si trajner.

Mesfushori Lasse Shwne zhbllokoi sfidën në minutën e 12, por 10 minuta më pas vendasit barazuan me Cziommer, rezultat që mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit, pasi të dyja skuadrat ishin të kënaqura me nga një pikë.

Një sukses mëse i merituar për të besuarit e Frank DeBoer, që zhvilluan një sezon fantastik, duke dominuar sidomos në fazën e dytë, ku krijuan edhe shkëputjen nga rivalët për titull. Një arritje logjike që i dedikohet filozofisë së një klubi me traditë sidomos në rritjen dhe zbulimin e talenteve të futbollit, duke shërbyer si fidanishte për ekipet më të mëdha europiane. Kapiteni Siem De Jong, Lasse Shwne, Kolbein Sigthorson, Daley Blind dhe Davy Klaasen janë vetëm disa nga “yjet” e këtij Ajaxsi, që shkëlyen falë lojës kolektive të dirigjuar nga strategu Frank DeBoer.

Për Ajaksin është titulli i 4-t radhazi dhe De Bër shkruan historinë, sepse asnjë trajner nuk ka arritur të fitojë 4 herë radhazi titullin kampion në Holandë.

Eksperienca si futbollist me Ajaxin dhe Barcelonën i shërbeu 43 – vjeçarit për të nisur një karrierë të suksesshme edhe si trajner, fillimisht në akademinë e Ajaxit e që nga viti 2010 në skuadrën e parë, duke fituar katër tituj kampion radhazi, arritje këto që e kanë vënë në qendër të vëmendjes edhe në merkaton e skuadrave të mëdha.

Në 33 javë kampionat Ajaxi ka arritur të grumbullojë 70 pikë, 4 më shumë se Feeynord i vendit të dytë, duke koleksionuar 20 fitore, 10 barazime dhe vetëm tri humbje, me golavarazh të përgjithshëm 67-26. Ajaxsi është skuadra e katërt për numrin e golave të shënuar, por diferencën harkëtarët e kanë bërë në mbrojtje, pasi kanë pësuar më pak se çdo skuadër tjetër e Eredivizie.