ADEM JASHARI, LEGJENDARI I LEGJENDAVE TË SHQIPËRISË

Passport.jpg1

Kolosët si Adem Jashari lindin rrallë. Megjithatë, ata dalin në sipërfaqe në kohë dhe në rrethana të caktuara, si Akili në kohën antike, Spartaku në Romën e lashtë, Simon Bolivari në shekullin e 19-të, apo Çe Guevara në shekullin e 20-të.

Adem Jashari i tejkalon përmasat e heroit kombëtar, meqë vepra dhe akti vetëflijues me tërë familjen, janë ngjarje unike dhe të veçanta në tërë historinë e qytetërimit njerëzor.

Ademi ishte i biri i Shaban Jasharit dhe i Zahidesë. Ai lindi në ditën më të shënuar të historisë sonë kombëtare, më 28 nëntor, në datën e kthimit të Gjergj Kastriotit në Krujë dhe në datën tjetër të historisë, kur plaku Ismail Qemali shpalosi në Vlorë flamurin e pavarësisë të Shqipërisë. Ademi lindi në Prekaz, më 28 nëntor 1955, në dimrin që mbahet mend për acar dhe dhunë mizore që ndërmori regjimi jugosllav kundër shqiptarëve, me pretekst të kërkimit të armëve në mbarë Kosovën. Kjo ishte koha e aksionit famëkeq për çarmatosjen e shqiptarëve.

Mësimet fillore i mori në Skenderaj, ndërsa shkollën e mesme teknike e mbaroi në Mitrovicë.

Familja shumë anëtarësh e Shaban Murat Jasharit ishte një familje me traditë të shëndoshë shqiptare. Të gjithë anëtarët e saj punon në ngritjen e përbashkët të pasurisë familjare. Secili në punën e tij. Dikush në ara e në livadhe, dikush në punë, e dikush në mërgim.

Ademi, ashtu sikur edhe shumë të rinj liridashës të kohës, kishte preokupime të veçanta. E donte dhe e çmonte armën. Ëndërronte lirinë e popullit të tij të robëruar dhe të nëpërkëmbur. I donte njerëzit, ndërsa shoqërohej sidomos me ata, të cilët shfaqnin interesim për të lënë gjurmë në kohë, për të vazhduar historinë aty ku kishte ngecur.

Në kullën e përbashkët të familjes, pothuajse për çdo natë kishte miq. Hynin e dilnin burra të mençur e trima, të cilët rrëfenin për të kaluarën e rëndë, por edhe për rezistencën e vazhdueshme të liridashësve të përkushtuar. Rrëfimet për Gjergj Kastriotin, për Ismail Qemalin, për Hasan Prishtinën, për Azem Galicën, për Qerime Halilin, për Ahmet Delinë, për Shaban Polluzhën e për qindra trima të tjerë, tregoheshin me respekt dhe me pietet, ndërsa nga të pranishmin dëgjoheshin me vëmendje të veçantë.

Ademi po rritej e po burrërohej tok me vëllezërit, Rifatin dhe Hamzën.

Përveç dy vëllezërve, ai kishte edhe pesë motra: Hava, Zyla, Zoja, Qamilja dhe Halimja.

Natyra i kishte dhuruar Ademit shtatin e hedhur të Akilit, fuqinë fizike të Herkulit dhe zhdërvjelltësinë si të Azem Galicës.

Përveç dajë Osman Gecit nga Llausha, të cilin e donte dhe e respektonte pa masë, ai shoqërohej edhe me shokë dhe kushërinj të brezit të tij.

Demonstratat e pranverës së vitit 1981, te Ademi shtuan pezmin ndaj pushtuesit jugosllav dhe ndërgjegjen për veprim edhe më aktiv kundër këtij pushtuesi. Një përshtypje dhe sfidë të veçantë temperamentit të tij të lindur kryengritës, i bëri sidomos qëndresa heroike e Tahir dhe Nebih Mehës, më 13 maj të vitit 1981, në Prekaz. Ademi, së bashku me vëllanë e tij, Hamzën, dhe me të atin, Shabanin, ishte ndër njerëzit e rrallë të Prekazit, që morën pjesë në ceremoninë e varrimit të Tahir dhe Nebih Mehës, të cilët gjatë luftimit, në një rrethim të hekurt policor, vranë katër policë jugosllavë dhe plagosën pesë të tjerë.

Pranë varrit të këtyre dëshmorëve, Adem Jashari kishte bërë betimin, të cilin e mbajti besnikërisht. Ai me kohë i kishte qartësuar dilemat rreth rrugës për arritjen e lirisë. Ademi e kishte kuptuar se për liri, para së gjithash, duhet vetëflijim, përkushtim, besë, guxim… Prandaj, po i besonte vetvetes vëllezërve, shokëve.. Kishte filluar haptas edhe idetë e tij për domosdoshmërinë e krijimit të bërthamave të para të armatosura.

Në pranverë të viteve 1989-90, me rastin e revoltës gjithë popullore të shqiptarëve në Kosovë, Ademi së bashku me Ilaz Kodrën, Osman Gecin, Sahit Jasharin, Jakup Nurën e të tjerë, organizoi demonstratat në Skenderaj.

Adem Jashari me vëllezërit: Rifatin, Hamzën dhe me shokët e idealit nga Drenica: Ilaz Kodra, Sami Lushtaku, Jakup Nura, Zenun Kodra, Besim Rama, Sahit Jashari, Fadil Kodra, Nuredin Lushtakum Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramiz Lladrovci, Sylejman Selimi, Rafet Rama e të tjerë, mori përsipër ta lëvizte orën e madhe dhe tejet të rëndë të historisë.

Djalëria,që tregonte gatishmëri për të luftuar kundër okupatorit, duhet paraprakisht të stërvitej. Stërvitja duhej të mbetej çështje sekrete. Ajo do të mbahej në kazermat e Republikës së Shqipërisë. Në dijeni të këtij fakti, në fillim të vitit 1991, ishte edhe vetë presidenti shqiptar i asaj kohe, Ramiz Alia.

Stërvitja e grupit të dytë të kosovarëve mbahej top sekret. Për kursin njëmujor kishin dijeni: presidenti Ramiz Alia, ministri i Mbrojtjes Perikli Teta, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, Kostaq Karoli, shefi i Katedrës së Zjarit, Ylli Mici, si dhe oficerët që merreshin me stërvitjen e tyre si: Hysen Ymeri, Agron Dhimarko e Kastriot Hoxha. Përveç Adem Jasharit, atje ishin stërvitur edhe dhjetëra luftëtarë të tjerë të ardhshëm të UÇK-së. Adem Jashari, pas stërvitjes ushtarake së bashku me një grup prej afër 50 luftëtarësh u kthye në Kosovë, duke kaluar kufirin këmbë. Ata me këtë rast ishin armatosur më armë këmbësorie.

Rrethimi i parë

Më 30 dhjetor të vitit 1991, forca të mëdha policore, të mbështetura edhe nga forcat jugosllave, rrethuan shtëpinë e Shaban Jasharit në Prekaz. Sigurimi Shtetëror Serb ishte në dijeni për arritjen e këtyre luftëtarëve në Prekaz. Në Kullë ndodheshin: Adem Jashari, me vëllezërit Rifatin e Hamzën dhe me bashkëluftëtarët, Sahit Jashari, Fadil Kodra e me trima të tjerë të Kodrajve e të Lushtakëve të Prekazit. Përleshja kishte zgjatur prej mëngjesit e deri në orën 15 të asaj dite. Trimave të lirisë u kishin shkuar në ndihmë qindra liridashës të tjerë, në mesin e tyre edhe daja i Adem Jasharit, Osman Geci, nga Llausha. Meqenëse bërthamës çlirimtare, në krye të së cilës ishte Adem Jashari, po i arrinin përforcime nga të gjitha anët, forcat serbe u detyruan të tërhiqen. Ato e kishin kuptuar se luftëtarët e lirisë po i mbanin armët për të luftuar kundër tyre.

Prej 30 dhjetorit të vitit 1991, Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij nuk e ndërprenë luftën e armatosur kundër pushtuesit serb, deri në çlirimin e Kosovës. Ai edhe ishte i zgjedhuri i trimave dhe asnjë nga shokët nuk e kishte vënë në dyshim asnjëherë pozitën e tij të prijësit. Adem Jashari tashmë ishte bërë komandant legjitim i formacioneve ushtarake çlirimtare, që më vonë do të quhen UÇK. Ai bishtenë dijeni paraprakisht për të gjithë aksionet kishin kryer kundër forcave serbe në Kosovë, që prej vitit 1991 deri më 1998. Në shumicën e këtyre aksioneve ai kishte marrë pjesë edhe vetë. Gjatë periudhës së viteve 1991-1994, vetëm në Skenderaj e në Drenas, në këto aksione janë vrarë dhjetëra policë. Ndërsa më 23 mars të vitit 1993, me urdhrin e komandantit Adem Jashari, në udhëkryqin e hekurudhës në Drenas, është sulmuar automjeti i policisë serbe, me ç’rast janë vrarë 5 dhe janë plagosur 6 policë serbë. Këtë aksion e kishte kryer Sami Lushtaku, Ilaz Kodra dhe Rafet Rama.

Gjatë viteve të veprimtarisë ilegale guerile, Adem Jashari ka koordinuar pothuajse të gjitha aksionet që kanë ndodhur, jo vetëm në Drenicë, por në mbarë Kosovën.

Në vjeshtë të vitit 1996, Shërbimi Sekret Serb zë në befasi dhe e arreston njërin prej bashkëveprimtarëve të Adem Jasharit, Besim Ramën nga Prekazi. Në procesin gjyqësor të organizuar kundër tij, Gjykata e Qarkut në Prishtinë i dënoi prej 6 deri në 20 vjet burg: Adem Jasharin, Besim Ramën, Ilaz Kodrën, Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Fadil Kodrën, Zenun Kodrën, Nuredin Lushtakun, Sami Lushtakun, Sahit Jasharin, Idriz Asllanin, Ali Jonuzin dhe Jakup Nurën.

Adem Jashari u dënua me 20 vjet burg, në mungesë.

Për aktivitetin luftarak, qëllimin e Adem Jasharit dhe të bërthamës së tij çlirimtare, dinin edhe politikanët pacifistë kosovarë, të cilët këto zhvillimet përcillnin me skepticizëm dhe mosbesim.

Kishte edhe raste kur aktiviteti i tij interpretohej me dubioza të liga dhe me kualifikime antikombëtare. Prania e grupeve të armatosura ilegale në Kosovë, në gjysmën e dytë të viteve nëntëdhjetë, shkaktoi konfuzione të caktuara në rrjedhat politike. Të gjithë kryeparët e partive politike pacifiste, pa dallim, u distancuan nga aktiviteti ushtarak i këtyre grupeve militante të udhëhequra nga Adem Jashari dhe konfirmuan para faktorit ndërkombëtar, si alternativë të vetme, lëvizjen pacifiste.

Përleshja e parë frontale në Rezallë të Re

Më 25 nëntor të vitit 1997, policia serbe kishte pësuar disfatë në Lagjen Binakaj të Vojnikut, në përpjeke për të arrestuar luftëtarin Adebin Sokol Rexha. Të nesërmen, më 26 nëntor, forca të shumta të policisë ishin nisur në relacionin Skenderaj-Llaushë-Rezallë e Re. Në vendin e quajtur Klisyra, në drejtim të Turiçecit, kishte zënë pritë komandanti Adem Jashari me njëzet luftëtarët e tij. Atë ditë, forcat serbe, në këtë pritë, u sulmuan në befasi. Edhe pse ato kishin armatim të rëndë dhe ishin me numër të madh, që në fillim e humbën orientimin, meqë sulmi i rrufeshëm i çlirimtarëve të Adem Jasharit dhe i vetë Komandantit nuk u linte shteg për ti akorduar veprimet luftarake, i cili vërtitej mbi vend betejë. Piloti nuk kishte guxim të lëshohej më poshtë për t’iu shkuar në ndihmë të plagosurve, meqë ndodhej në rreze të veprimit të armëve të luftëtarëve të Adem Jasharit.

Gjatë tërheqjes së turpshme në drejtim të Skenderajt, forcat serbe qëllojnë shkollën e fshatit Llaushë, me ç’rast merr plagë vdekjeje mësuesi nga Halit Geci, ndërsa plagoset edhe arsimtari tjetër, Shaban Rreci, nga Llausha.

Serbët kthehen të mundur. Shtypi, i quajtur i lirë dhe i pavarur i Beogradit e përshkruan ngjarjen, duke u mbështetur kryesisht në versionin zyrtar serb. Pranohet botërisht humbja e betejës, por paralajmërohen ndeshje të reja. Pranohet po ashtu fakti se policia serbe qysh moti e kishte humbur kontrollin gjatë natës në Drenicë, ndërsa tanimë po e humbiste kontrollin edhe gjatë ditës.

Shtypi zyrtar i Beogradit propagandonte me të madhe se në Kosovë kishin hyrë dhe vepronin grupe “terroristësh” nga shumë shtete të Evropës dhe nga ato islamike.

Më 28 nëntor të vitit 1997, me rastin e varrimit të mësuesit dëshmor Halit Geci në fshatin Llaushë, me miratimin e Adem Jasharit, tre luftëtarë të lirisë, Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Daut Haradinaj, dalin publikisht të maskuar, por me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me armë automatike. Ata shpalosin qëllimin e luftës çlirimtare, si alternativë të vetme për ta shporrur nga Kosova pushtuesin serb.

Brohoritjet e mijëra pjesëmarrësve në varrim, për UÇK-në, konfirmonin plebishitin alternativ të lëvizjes paqësore. Trimat dhe trimëreshat e komandantit legjendar Adem Jashari, tanimë lëviznin lirshëm në Drenicë dhe në Dukagjin.

Rrethimi i Dytë i Kullës së Jasharëve në Prekaz, më 22 janar 1998

Shërbimi Sekret Serb, me kohë kishte identifikuar pikat e rezistencës në Drenicë, duke shënuar si pikën më të rrezikshme Kullën e Jasharëve në Prekaz.

Sulmin mbi Jasharët, njësitë policore serbe e ndërmarrin gjatë natës, më 22 janar të vitit 1998. Nuk duket që sulmi të ketë qenë i akorduar, meqë nuk përkonte me strategjinë dhe doktrinën zyrtare serbe të luftës.

Përleshja ishte zhvilluar nga një distancë e vogël. Forcat serbe kishin qëlluar në drejtim të Kullës, ndërsa Shaban Jashari me të birin, Hamzën dhe nipat e tij, Fitimi e Besimi, iu kundërpërgjigjën. Pasi merr vesh për sulmin, nga Llausha, ku kishte qëlluar atë natë, arrin me shpejtësi në Prekaz komandanti, Adem Jashari, së bashku me dajën, Osman Gecin dhe me bashkëluftëtarë të tjerë. Gjatë luftimeve, me këtë rast kishin marrë plagë Ilirianë dhe Selvete Jashari. Të nesërmen në mëngjes, policët serbë, të stacionuar në Fabrikën e Municionit, në shenjë hakmarrje për turpin në disfatën e pësuar në Prekaz, kishin vrarë punëtorin Hysen Manxholli, nga Mikushnica.

Edhe kësaj radhe forcat serbe ishin thyer me turp. Ishte hera e dytë, që policia serbe po humbiste betejën me luftëtarët çlirimtar të Adem Jasharit.

Beogradi pushtues po përgatitej për luftë e për ta sulmuar Drenicën, bastionin e qëndresës dhe Kullën e pamposhtur të Jasharëve në Prekazin e trimërisë shekullore shqiptare. Ndërkohë, drejt kësaj kulle kishin mësyrë mijëra liridashës. Masa e madhe e njerëzve shkonte për të parë dhe për t’u bindur për krejt çka po ndodhte në Drenicë. Pas kësaj ngjarje, Kullën e Shaban Jasharit e vizitojnë sa e sa gazetar, politikanë dhe njerëz orientimesh të ndryshme.

Shaban Jashari priste miq dhe u thoshte: “Nuk kemi ku të shkojmë më tej. Kur sulmohet shtëpia, meshkujt, po besa edhe gratë, kanë për detyrë ta mbrojnë nderin e shtëpisë, sepse nderi i shtëpisë është edhe nderi i atdheut”.

* * *

Shkurti i vitit 1998.

Dimër…acar…dëbor…

Luftëtarët e lirisë po vinin nga Perëndimi.

Komandant Adem Jashari kishte konsoliduar radhët.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte imponuar alternativën e luftës së armatosur.

Rrethimi i Tretë i Kullës së Jasharëve në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998

Rreth e përqark Fabrikës së Municionit në Skenderaj, më 3 dhe 4 mars, ishin dislokuar forca të shumta të artilerisë së rëndë. Po ashtu, policia serbe kishte bërë përforcime të shumta nëpër të gjitha postblloqet e saj në Drenicë.

Në orën 5.30 minuta të datës 5 mars, artileria serbe, nga Fabrika e Municionit, fillon gjuajtjet në drejtim të Kullës së Shaban Jasharit dhe të të gjithë Jasharëve.

Lufta dhe qëndresa titanike e kryetrimave në Prekaz kishte dhënë kushtrimin në të gjitha trojet e Shqipërisë dhe në mërgatë.

Anteu i lirisë, Adem Jashari, kishte marrë vendimin historik, vendimin më të vështirë dhe më të dhembshëm që ka marrë ndonjëherë njeriu, gjatë tërë historisë së qytetërimit.

-Nuk do të dorëzohemi për së gjalli!

-Vrastarët nuk do të kalojnë, veçse mbi trupin tim të vdekur!

Tashmë ishte e largët koha kur thirrja e çetave të maleve të Drenicës: “prite Azem Galicën, ore!”, ua kallte datën hordhive të krajlit serb. Vitet dhe dekadat e robërisë së Kosovës kishin venitur, në kujtesën sunduesit serb, pamjen e dragoit të Galicës, që fluturonte hipur në kalë. Vetëm atëherë kur lubisë serbe i doli përballë uniforma e UÇK-së, si fantazmë tmerruese, pushtuesit serbë, sikur të parët e tyre dikur, filluan të ndiejnë dridhjen nën këmbë të tokës arbërore. Prandaj, lubia serbe kishte provuar disa herë ta kafshonte Drenicën: në Prekaz, në Llaushë, në Likoshan, në Qirez e sërish në Prekaz.

Më 5 mars, ajo po rikthehej edhe njëherë te Prekazi i legjendave të trimërisë,për ta kafshuar helmueshëm Drenicën. Po sulmohej kështjella e Jasharëve, ku ruhej i paprekur nderi shqiptar. Ajo kishte brenda zemrën e madhe të komandantit legjendar të luftës për liri, Adem Jashari, plakun fisnik Shaban Jashari, trimin e paepur Hamëz Jashari, nipat dhe mbesat e Shotës.

Mëngjesi i asaj dite të acartë marsi, bashkë e krismat dhe me zjarrin e topave, po derdhte mbi Prekaz edhe tërë llahtarin e barbarisë serbe. Por, atë çast, brenda kështjellës u mor vendimi i madh:

-Nëse duhet vdekur dikush, më mirë unë, sesa Kosova ime, kishte thënë Komandanti.

-Nëse duhet vdekur dikush, më mirë të gjithë ne, se sa Atdheu, – kishin thënë të gjithë Jasharët në Kështjellë.

Po shkrepnin pushkët, e po këndonte zemra shqiptare. Pushka dhe kënga e trimave po shkruanin simfonin e qëndresës se pamposhtme. Jehona e tyre po prekte rrënjët dhe majën e historisë së luftës sonë për liri. Në Prekaz po bëhej historia. Kështjella e Jasharëve po bëhej muranë e lirisë.

* * *

Lajmi për rënien e Adem Jasharit, 20 pjesëtarëve të familjes së ngushtë të Shaban Jasharit dhe 39 të tjerëve nga familja e gjerë Jashari, si dhe të atyre që kishin qëlluar gjatë atyre ditëve në Prekaz, kishte prekur shpirtin e çdo shqiptari liridashës dhe ishte reflektuar me një dhembje të pakrahasueshme kudo te shqiptarët.

Dhembja, por edhe krenaria për Prekazin, kishte ngritur në këmbë të gjitha forcat liridashës anembanë trojeve etnike të Shqipërisë dhe në mërgatë.

Akti vetëflijues i Adem Jasharit, Hamëz Jasharit, i Shaban Jasharit, Osman Gecit, Hamit Jasharit, Salë Jasharit, Faik Jasharit, Halil Jasharit, Ali Jasharit, Sherif Jasharit, Hajzer Jasharit, Ramiz Jasharit, Kajtaz Jasharit dhe i sa e sa të tjerëve, i kishte dhënë impulse vendimtare luftës për liri.

Me emrin e Adem Jasharit dhe me moton mobilizuese: Prite, prite Adem Jasharin!, luMe emrin e Adem Jasharit, gjatë kohës së luftës, është emërtuar Brigada e 111 e UÇK-së;

Më 28 nëntor të vitit 1998 Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin e shpall Komandant Legjendar të UÇK-së;

Sot, Garda e Kosovës mban emrin e Adem Jasharit;

Me rastin e një vizite në Prekaz, kryeadministratori i parë i Kosovës Bernard Kushner, ishte shprehur: Po të kishte çmim Nobel për liri, ai çmim do t’i takonte familjes Jasharaj të Prekazit.

Për Adem Jasharin janë shkruar libra, drama, broshura dhe jetëshkrime të panumërta, nga shumë intelektual shqiptar dhe të huaj. Janë shkruar dhjetëra e qindra shkrime të autorëve të ndryshëm, në shtypin ditor dhe në atë periodik.

Janë emërtuar shumë sheshe dhe rrugë qytetesh në Prishtinë, në Tiranë, në Gjirokastër dhe kudo në trojet e Shqipërisë Etnike;

Është projektuar realizimi i kompleksit memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Emri i Adem Jasharit është përjetësuar në institucione të shumta edukative, arsimore e shkencore, kudo në trojet shqiptare;

Emri i Adem Jasharit, a dyshim, është emri më i frekuentuar shqiptar në mediet shqiptare dhe botërore, qysh nga 5 marsi i vitit 1998.

Pothuajse nuk ka familje shqiptare që nuk e ka portretin e Adem Jasharit.

(Kjo biografi e Adem Jasharit dhe bashkëluftëtarëve të tij është konsultuar me anëtarët e familjes Jashari në Prekaz dhe bashkëluftëtarët e gjallë të legjendarit. Shkrimi është prezantuar në vëllimin e dytë të monografisë, “Feniksët e lirisë”.) Maj 2002.

Adem Jashari, Legjendari i legjendave të Shqipërisë

Nuk janë të rrallë shembujt e heroizmit madje as tani në botën tonë moderne, kur mendohet se legjendat i përkasin së kaluarës dhe ato shërbejnë vetëm për ta rikthyer atë, në kujtesë. Por, një legjendë tipike shqiptare ka hyrë në historinë tonë më të re ashtu si legjendat e motit, ashtu sikur edhe legjendat e dhembshme të historisë njerëzore, pse jo edhe si legjendat urbane të kohës me plot tronditje, në të cilën po jetojmë.

16-vjet më parë, në kullën e jasharëve të Prekazit por edhe përreth lagjes Jashari përgjithësisht, natën vonë ishte strukur lubia me shtatë krerë. Si pjellë e satanait, ajo po priste agun e ditës për të filluar sulmin shkatërrimtar kundër kullave të qëndresës, të cilat për një kohë të gjatë nuk kishin lejuar marshimin e forcave të territ nëpër rrugët e lagjes së tyre dhe më gjerë…

Rezistenca e kryetrimit të kohës sonë, e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, e familjes së tij të ngushtë dhe të gjerë, e tërë lagjes Jashari përgjithësisht, më 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, kishte rikthyer në kujtesë legjendën biblike të luftës së Davidit kundër Golijatit, legjendën e 300 spartanëve, legjendën e Lakademonit antik, legjendën e vajzave të Kurbinit, legjendën e Halil Patronës, Oso Kukës dhe sa e sa shembujve të tjerë të heroizmit shqiptar nëpër shekujt, të heroizmit njerëzor.

Legjendari, Adem Jashari, për nga përmasa e qëndresës dhe vetësakrifikimit është fenomen “sui generis”, fenomen që i tejkalon përmasat kombëtare e rajonale, është fenomen që mund të paraqitet rrallë herë në historinë e qytetërimit, ose njëherë gjatë disa shekujve. Duke folur për fenomene të tilla, studiuesi i vëmendshëm i etnopsikologjisë shqiptare dr. Kristë Maloku, në studimin e tij “Shteti apo kombi”?, botuar në vitet e tridhjeta të shekullit njëzet, ndër të tjera ka shkruar: “Shpëtimtari i kombit duhet të ketë fantazi krijuesi si Platoni, … entuziazëm djalërie si Alkibiadi, vullnet vetëflijues si Sokrati. Por kësi shpëtimtarësh të kombit nuk mbijnë aq lehtë në Shqipëri e as tjetërkund, sepse Zoti i dërgon ata vetëm njëherë brenda qindra e mijëra vjetësh. Dhe, i dërgon vetëm si një kurorëzim të një pune të gjatë kombëtare, plot orvatje e mundime, si një lulëzim të shkëlqyeshëm mbi gjethe, gjemba e ferra të një kopshti të kulturuar kombëtar. (Kristë Maloku, Shteti apo kombi, botuar në revistën Dardania Sacra nr.4 Prishtinë 2002,f.74.) Ky konstatim vegimtar i Kristë Malokut, përputhet në tërësi me përshkrimin që ai i bënte shpëtimtarit, heroit të një kohe të caktuar historike.

Veçantia tipike e këtij fenomeni i ka specifikat e veta në kohë dhe në hapësirë. Rrëfimi për luftën, qëndresën dhe sakrificën e Adem Jasharit, Hamëz Jasharit, Shaban Jasharit dhe të JASHARËVE të tjerë në Prekaz, më, 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, është rrëfimi më tronditës, në të njëjtën kohë rrëfimi më krenar dhe më i sublimuar nga të gjitha rrëfimet e tjera të luftës dhe të sakrificës njerëzore, të kryera në emër të idealit të lirisë, në emër të çlirimit nga njëra ndër makineritë më të tmerrshme e krimit, që ka sunduar ndonjëherë në botë.

Filozofi më i madh gjerman, Georg Vilhelm Fridrih Hegel, në veprën madhore “Fenomenologjia e shpirtit” në kapitullin, “Perënditë dhe njerëzit”, ndër të tjera ka shënuar: “Forcat e përgjithshme disponojnë në vetvete shenjën e individualitetit, e cila është e lidhur me principin e veprimit. Nga kjo del se vepra e tyre manifestohet si veprim i lirë, i cili përgjithësisht rrjedhë prej tyre. Kështu kanë vepruar perënditë, kështu veprojnë edhe njerëzit*.( Hegel Fenomenologjia e shpirtit, BIGZ 1974 faqe 420.)

Pikërisht në suaza të këtij përkufizimi filozofik të Hegelit, duhet zbërthyer frymën e principit të jetës dhe të veprës së Adem Jasharit, të Anteut të kohës sonë, i cili u përball me forcën e brutalitetit barbar, për të ngadhënjyer mbi atë forcë djallëzore, me aktin e qëndresës dhe të heroizmit unikal, të flijimit kolektiv të familjes, fenomen ky rrallë i përsëritshëm në historinë e qytetërimit.

Rrëfimi historik për Adem Jasharin, duke e krahasuar atë me personazhe të caktuara të Biblës apo të rrëfimeve të tjera para antike dhe të kohës antike si, Anteu, profeti Job, Juda Makabe, Spartaku, Parabundo Marti, Çe Geuvara e shumë të tjerë, është rrëfim që në shumë segmente i tejkalon tregimet e moçme mbi trimërinë, qëndresën, vendosmërinë dhe vetësakrificën.

Legjendari i kohës sonë, Adem Jashari, në historinë tonë më të re, në ndërgjegjen e liridashësve shqiptarë, është ngulitur jo vetëm si kult, që simbolizon trimërinë, vendosmërinë, sakrificën, po mbi të gjitha është simbol unikat i fuqisë dhe i vitalitetit kombëtar, simbol i përsëritjeve ciklike të ngritjeve shqiptare, pas rënieve të shumta. Adem Jashari është Mesi i realizuar, është shpëtimtari që e kemi pritur me shekuj, është udhërrëfyesi dhe shembull-dhënësi realist i lirisë.

Epiqendra e heroizmit dhe qëndresës shqiptare sot, nuk mund të mendohet pa ideatorin dhe projektuesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Vepra e tij heroike ishte dhe vazhdon të mbetet burim i frymëzimit më të fisnikëruar kombëtar për të gjithë shqiptarët liridashës dhe më gjerë. Vizita, që shqiptarët, por edhe shumë liridashës e humanistë të tjerë nga mbarë bota i bëjnë Kullës së Jasharëve, tani në Kompleksin Memorial Kombëtar, në Prekaz, është tregues se pikërisht në qendër të Shqipërisë po përjetësohet një vendpelegrinazh i ri i botës shqiptare, një vend i shenjtë jo vetëm i Shqipërisë.

Fenomeni Adem Jashar po ngrihet në monument përjetësie fizike e shpirtërore, jo si mit mesjetar, jo si legjendë e rrëfimeve tradicionale mitologjike, por si një personazh i veçantë dhe realist i historisë me përmasa po ashtu tipike, realiste, sepse vepra dhe heroizmi i tij shënuan piedestalin, preken atje ku nuk arrijnë dot as legjendat, shënuan majat më të larta, përtej të cilave pushon edhe fjala.

Në të gjitha segmentet studimore, në të gjitha format e krahasimit dhe të përshkrimit, fenomeni Adem Jashar, imponohet para së gjithash me origjinalitet, imponohet me veçanti tipike të një tipologjie autentike në paraqitje, që mbërthen në vetvete të gjitha përshtresimet universale të Njeriut, i cili jo rastësisht kishte sfiduar terrin, barbarinë, dhunën, jo rastësisht iu kishte kundërvënë ushtrisë gjakatare të kryekriminelit, despotit dhe kasapit të Ballkanit.

Në 16-vjetorin e sakrificës dhe heroizmit të Legjendarit, Adem Jashari dhe jasharëve të rënë e të martirizuar, krenohemi me epokën e tij, por nuk mund të krenohemi se e kemi çuar deri në fund amanetin e tij, pavarësisht pompozitetit, retorikës politike, fjalimeve emocionale, ceremonive tashmë tradicionale, të cilave iu mungon esenca e porosisë së legjendarit, e cila njëzohej fuqishëm me moton filozofike të Ukshin Hotit, “Bëje ose vdis!”. Të ndodhur para kësaj dileme, shumë politikanëve shqiptarë, që gjatë këtyre ditëve bëjnë homazhe para varrit të legjendarit, do të duhej t’iu dridheshin këmbët, do të duhej të iu thaheshin buzët, do të duhej t’iu ngelnin në fyt fjalët e zgjedhura dhe përkushtimi për Legjendarin…