AAK mirëpret idenë e Ambasadores gjermane për zgjidhjen e krizës, Qeveria hesht


Propozimi i ambasadores gjermane Angelica Viets, për krijimin e një Komisioni Ndërmjetësues për tejkalimin e krizës politike në vend është i mirëseardhur për AAK’në e Ramush Haradinajt, ani pse qëndrimi përfundimtar i kësaj partie vazhdon të mbetet se “zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje”.
AAK’ja nuk është në dijeni nëse në javët e fundit ka pasur ndonjë përpjekje për t’u krijuar ndonjë Komision Ndërmjetësues që vendi ynë të dalë nga kriza politike që po thellohet dita-ditës edhe më shumë.

Por, në rast se ide të tilla fillohen të aplikohen, atëherë partia e dytë opozitare, AAK, është e gatshme për ta pranuar një komision të tillë, nëse vlerësohet se kjo mund ta nxjerr me të vërtetë vendin nga kriza duke e quar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Zëdhënësi i AAK’së, Muharrem Nitaj duke folur për propozimin e ambasadores Angelica Viets, tha se për këtë subjekt politik, “Parimisht çdo ide ose propozim që do të çonte në zgjidhjen e krizës politike, është i mirëseardhur”.

“Ne akoma nuk dimë se çka nënkupton një propozim i tillë. Kjo duket është fazën e idesë dhe e kemi të pamundur të themi diçka më shumë. Por, nëse një komision i tillë ka të bëjë me zgjidhjen e krizës, e cila sipas nesh ka vetëm një rrugë, zgjedhjet e parakohshme, atëherë s’ka si të mos merret parasysh”, komentoi Nitaj për gazetën Express, propozimin e ambasadores gjermane.

Ambasadorja e Gjermanisë në Prishtinë, Angelica Viets, në një intervistë për Gazetën Express, të publikuar një ditë më parë, deklaroi se si mundësi për dalje nga kriza politike vendi duhet të themelojë një Komision Ndërmjetësues për tejkalimin e krizës që do të drejtohej nga Presidenti i Kosovës ose nga ndonjë personalitet që është i pranueshëm për palët.

E në AAK nuk japin emra se kush mund të jetë pjesë e këtij komisioni, vetëm se vënë kusht, se në rast se ndodhë formimi i këtij komisioni, të drejtohet nga persona të pranueshëm nga “opozita e bashkuar”, e përbërë nga tri partitë VV-AAK dhe NISMA.

“Sigurisht edhe forma është e rëndësishme dhe një komision të tillë nuk do të mund ta drejtonte askush që nuk është i pranueshëm edhe për Opozitën”, deklaroi zëdhënësi i AAK’së, Muharrem Nitaj.

Megjithatë, Nitaj thotë se pa e lexuar në letër, idenë e këtij komisioni, të shihet saktë se çka bëhet fjalë, AAK’ja nuk mund të japë një përgjigje ndaj këtij propozimi.

“Sot s’kemi asgjë në dore dhe prandaj s’mund të themi më shumë”, përfundoi zëdhënësi i Ramush Haradinajt.

Nëse ky propozim i Angelica Viets do të ishte i pranueshëm edhe për Qeverinë e Kosovës, e cila drejtohet nga Isa Mustafa i LDK’së, Gazeta Express ka provuar të marrë koment nga zëdhënësi i tij Arban Abrashi, por ky i fundit nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara me e-mail. /GazetaExpress/
aak