A po përgatitet blloku opozitar ta shpërfillë vendimin e Kushtetueses?

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë sot se megjithatë janë deputetët ata që vendosin përfundimisht për vendin.
“Gjykata mund të marrë çdo vendim, mirëpo deputetët janë ata që përfundimisht do të vendosin dhe kanë vendosë për këtë vend”, ka thënë Mustafa.

Ai bëri me dije se kanë diskutuar për hapat e mëtutjeshëm të cilët do t’i zhvillojnë lidhur me organizimin e tyre si treshe, dhe lidhur me formimin e Qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës.
Analisti politik, Arben Ahmeti, thotë se shumica e vendimeve të deritanishme të Gjykatës Kushtetuese kanë qenë në disfavor të PDK-së.

“E kujtojmë këtu vendimin për shpalljen e pavlefshme të një zgjedhje të presidentit, pastaj edhe vendimi për çështjen e mandatarit është krejtësisht në disfavor të PDK-së, sepse ua mundëson treshes LDK-AAK-Nisma që të krijojnë qeverinë. Kësisoj, të gjitha akuzat që dalin nga kjo treshe në raport me gjykatën janë të pabazuara”, ka thënë Ahmeti për Indeks.

Sipas tij, askush nuk po e konteston që atë ditë ka pasur vullnet politik kundër PDK-së, por se a ka ditur kjo treshe të sillet konform normave dhe kësisoj a është z. Mustafa kryetar legjitim i Kuvendit të Kosovës.
“Edhe kjo deklaratë e z. Mustafa, edhe kërcënimi i z. Haradinaj ndaj presidentes se do ta dërgoj në gjykatë nëse nuk ia jep mandatin sa më shpejt, nuk janë mesazhe të burrështetasve, por mesazhe ngutie për pushtet dhe pasigurie”, ka përfunduar Ahmeti.