A ka gjasa të bllokohet liberalizimi?


Ndonëse Komisioni Europian e ka rekomanduar liberalizmin e vizave për Kosovën, ky vendim nuk nënkupton edhe mundësimin e menjëhershëm të lëvizjes pa viza të qytetarëve kosovarë drejt vendeve të Zonës Schengen.
Rekomandimi është vetëm hapi i parë në këtë fazë finale.
Ligjëruesja e Integrimeve Europiane në Universitetin e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka treguar detajshëm rrugën që pason.
“Rekomandimi i Komisionit Europian, shkon paralelisht në Këshillin e Unionit Europian dhe Parlamentin Europian. Shqyrtohet në rrugë të ndara në të dyja institucionet të cilat marrin qëndrimet rreth këtij rekomandimi”, ka pohuar Lushaku-Sadriu për KlanKosova.tv.
Por vendimi final merret nga Këshilli. Ai në vendimin e vet mund edhe të pësojë ndryshime nga rekomandimi i Komisionit. Varësisht nga qëndrimet që ka secili shtet kundrejt këtij rekomandimi”.
“Votimi në Këshillin e Unionit Europian është vendimtar, pra shtetet anëtare. Për çështjet e regjimit te vizave aplikohet shumica e kualifikuar, që do të thotë se për vendim ‘pro’ duhet të votojnë shumica e shteteve të mëdha që kanë numrin më të madh të qytetarëve të Bashkimit Europian. Nëse kjo shumicë nuk sigurohet, atëherë do të ketë problem”.
Lushaku-Sadriu ka treguar se sa kohë mund të marr i gjithë procesi.
“Parlamenti dhe Këshilli duhet ta përfshijnë në agjendën e tyre këtë rekomandim dhe deri në shqyrtim merr disa javë ose muaj”.
“Nuk ka planifikim strikt”.
Jeohna Lushaku- Fazliu
A mund të bllokohet procesi dhe të mos liberalizohen vizat?
Mund të stopohet, por diçka e tillë është e vështirë të ndodhë, sepse kur Komisioni Europian vendos që të japë rekomandimin për një shtet, kjo bëhet pas një konsulte të gjerë në të gjitha instancat në Bruksel dhe ka një dakordim paraprak.
“Parlamenti ka kërkuar disa herë që të realizohet liberalizimi për Kosovën, kështu qe pritet që ky institucion ta miratojë menjëherë rekomandimin”.
“Pastaj votimi në Këshillin e Unionit Europian është vendimtar”.
Problemi, ndoshta, më i madh është shqyrtimi i disa shteteve në formë pakoje.
“Mbetet e hapur se a do te shqyrtohet në një pako rekomandimi i Komisionit edhe për shtetet e tjera si Gjeorgjia dhe Ukraina. Nëse votimi bëhet së bashku për të gjitha shtetet, atëherë mund të ketë probleme që kanë shtetet e BE-së me njërën nga këto shtete”.
“Megjithatë, në praktikat e BE-së, për vendimet që merren me bashkëvendimmarrje në mes të Komisionit Europian, Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit: bëhen gjithmonë koordinime dhe konsultime shumë të ngjeshura në mes të gjitha institucioneve dhe akterëve vendimmarrës”.
“Prandaj, edhe në këtë rast, besoj se ka pasur koordinim përpara procedimit të Rekomandimit te Komisionit”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu për KlanKosova.tv.
Rruga e Kosovës drejt liberalizimit të vizave ka filluar me 19 janar të vitit 2012, kur komesarja për Punë të Brendshme e BE-së, Cecilia Malstrom, kishte ardhur në Prishtinë për të nisur dialogun zyrtarisht.
Ishte menduar se Kosovës do t’i liberalizoheshin vizat me 18 dhjetor të vitit të kaluar, por komisionieri për Migrim, Çështje të brendshme dhe Qytetari, Dimitris Avramopoulos, kishte deklaruar se Kosova ka edhe pak punë për të bërë.
Kosova ishte i vetmi vend në Ballkan pa viza.
Kjo do të ndryshojë shpejt.
gjasa