A janë këto 5 ditët e fundit të qeverisjes Isa Mustafa?

Kryeministri Isa Mustafa i ka ikur vazhdimisht kërkesës së PDK’së për ta proceduar demarkacionin në Kuvendin e Kosovës për shkak të përçarjeve brenda LDK’së. Si përgjigje ndaj kësaj, Partia Demokratike e Kosovës është duke favorizuar opsionin që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar datën 10 maj si afat kur deputetët e Kuvendit të Kosovës do të votojnë për rrëzimin e qeverisë. Pas mbledhjes së sotme të PDK’së Nënkryetari i PDK’së Hajredin Kuçi tha se kjo parti do të vendosë në ditët e ardhshme nëse do ta mbështes rrëzimin e Qeverisë Mustafa.

Tre javë pasi partitë opozitare në Kuvend kanë nisur grumbullimin e nënshkrimeve për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Mustafa, ata kanë siguruar 42 firma që janë të mjaftueshme për të thirrur një seancë të tillë. Por, kjo u arrit vetëm pasi nënshkrimin e tyre e dhanë edhe disa deputetë të PDK’së, dhe pakicave në Kuvend, edhe pse janë në koalicion më LDK’në e kryeministrit Mustafa.

Dorëzimi i mocionit në Kryesi të Kuvendit, të premten në mëngjes, pasoi me një mbledhje shumë të shkurtër të kryesisë të thirrur për në ora 14:00 të të njëjtës ditë, por që nisi me 30 minuta vonesë.

Kadri Veseli, si kryetar i PDK’së, kryesinë e tij e urdhëroi të mblidhet në ora 12:00 në selinë qendrore në Prishtinë, e vet erdhi me një orë vonesë. Më pas, bashkë me anëtarët e kryesisë së kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare, morën vendim për ditën e mbajtjes së seancës e cila vendos për fatin e qeverisë.

“Ditën e mërkurë në ora 10:00 do ta kemi seancën për mocionin dhe do të shohim vendimmarrjen e kuvendit”, u kumtoi Veseli mediave, menjëherë pas mbledhjes.

Por, si kryetar i PDK’së, ai tha se gjatë këtyre ditëve do të konsultohet me partnerët e koalicionit derisa të arrihet një vendim, që sipas Veselit duhet të jetë vetëm për të mirën e vendit, duke mos u interesuar kolltukët e posteve që mbajnë.

“Ajo që mund te them është se gjendja në Kosovë nuk është e kënaqshme. […] Duhet vendimmarrje në mënyrë që te permisiohet gjendja. […] Ka një pakënaqësi te qytetareve me mungesën e vendimmarrjes, njerëzit duan progres, dhe nuk janë te interesuar për kolltukët tona.  […] Ky vend duhet lëvizur dhe ecur përpara. Këtyre qytetareve u duhet progres”, tha Veseli.

Deklarimet e tij për vendimmarrje, shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri, i përktheu në dështimin e Qeverisë për ta proceduar në Kuvend Demarkacionin me Malin e Zi. Por, ky tha se LDK’ja dhe kryeministri Mustafa janë të gatshëm kurdo ta çojnë marrëveshjen në Kuvend, pasi kundërshtuesit e kësaj marrëveshje brenda partisë sipas tij janë të pakt në numër, duke e hedhur fajin për dështim të procedimit të saj tek partneri PDK, për shkak të numrave.

“Nuk mendoj se demarkacioni është arsyeje e mjaftueshme për te shpërberë parlamentin”, tha Beqiri pas mbledhjes së kryesisë, si përgjigje për Veselin. Madje, deklarimet e shefit të PDK’së ai i konsideroi vetëm si pretekste.

” Ne nuk flasim për individët, për pakënaqësitë e tyre, është partneri ai që merr qëndrime”, u përgjigj Beqiri kur u pyet për deputetë e PDK’së që mbështesin mocionin.

Nga ana tjetër, Veseli nuk u tregua i qartë nëse PDK do ta votojë të mërkurën në ora 10:00 mocionin, por tregoi se tek partnerët kanë shprehur qëndrimet e tyre, pa i specifikuar se cialt janë ato.

“Ka disa jave që jemi ne komunikim intensiv me partnerët e koalicionit, ku kemi bartur edhe qëndrimet tona”, tha Veseli.

Për votën e deputetëve, pas mbledhjes së kryesisë foli zëvendësi i Veselit në PDK, Hajredin Kuçi.

“PDK nuk i ka vendimet autoritative”, deklaroi Kuci menjëherë pas mbledhjes së kryesisë së partisë demokratike, duke u lenë në dorë vetë deputetëve të vendosin për të ardhmen e koalicionit.

Por, marrëveshja e nënshkruar mes PDK’së dhe LDK’së, në kohen kur e para drejtohej nga tash presidenti i vendit Hashim Thaçi, detyron grupet parlamentare të koalicionit që të mos përkrahin mocione të tilla.

“PDK dhe LDK nuk do të përkrahin mocionet e mosbesimit të iniciuara nga palët e tjera në parlament”, thotë pika 14 e kësaj marrëveshje.

Ndryshe, partitë opozitare VV, AAK dhe NISMA po duken të entuziazmuara dhe tregohen të bindura se të mërkurën në Kuvend do të arrijnë t’i sigurojnë 61 votat për rrëzimin e qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhjet e jashtëzakonshme, që sipas afateve ligjore do të parashiheshin të mbahen gjatë qershorit.

Të gatshëm për zgjedhje janë tregohen edhe në PDK. Por, shmangien e tyre po e do LDK’ja, anipse sipas Ismet Beqirit nuk iu frikësohet atyre.

“Fundi fundit një parti çdoherë duhet te jete e gatshme për zgjedhje”, tha ai të premten.

Ndërkohë, kryeministri Isa Mustafa nuk ndodhet në Kosovë. Ai deri të shtunën gjendet në Londër, në një vizitë, që sipas Beqirit, nuk e pa të arsyeshme të anulohet, pa marrë parasysh këto zhvillime.

Në rast se dështon votimi i mocionit, atëherë mbledhja e nënshkrimeve për një iniciativë të tillë, sipas afateve ligjore, parashihet 90 ditë pas dështimit. /M.Gj./GazetaExpress/.

The post A janë këto 5 ditët e fundit të qeverisjes Isa Mustafa? appeared first on albagrafi.