A është dashuruar Albana Osmani?A është dashuruar Albana Osmani?

al-1

A është e dashuruar Albana Osmani? Mund të dimë ndonjë detaj më të hollësishëm?

-Pyetja nëse jam e dashuruar, më kujton programin “Kupid”. Me qindra njerëz i kam pyetur nëse ishin të dashuruar dhe nëse besonin tek dashuria. Këtu dua të ndaloj dhe të bëj një arsyetim, që në fund pas shumë emisionesh të këtij programi fillova të mendoj me veten.Pasi njoha njerëz që besonin në dashurinë dhe pasionin e vërtetë. Njoha njerëz që jetonin me të kaluarën e tyre, me atë që kishte qenë dashuria e madhe e humbur dhe realiteti nuk u jepte shpresë për të vlerësuar vetveten sërish.Njoha njerëz që jetonin për shumë motive, me urrejtjen, me inatin e një raporti të mëparshëm, për para, për t’u dukur dhe shumë arsye të tjera, ndoshta tundime që të gjithëve na serviren. Por, shumë rrallë kam takuar njerëz të lumtur.Pavarësisht çfarë shfaqnin para kamerave, “lexohej” mungesa e dashurisë, që besoj është një nevojë e domosdoshme për të gjithë. Në fund të fundit jemi njerëz. E nisa për një arsyetim të vogël, por u zgjata. Po e mbyll duke thënë se e rëndësishme është të jesh e/i lumtur. Dhe unë jam shumë e lumtur!

-Në marrëdhënie në çift, jeni e njëjta që ju shohim në ekran, d.m.th e qeshur, modeste, e dashur apo jashtë ekranit realiteti ndryshon?

-Doni të zbuloni me çdo kusht detaje, që në fakt lexuesit ua kërkojnë me kureshtjen e madhe. Por në fund kështu u mësuam duam të gjithë të dimë për këtë pjesën tjetër: “ç’bëhet me jetën në çift?”.Po përfitoj nga pyetja, për t’ju treguar, se cila jam unë në marrëdhënie në çift, se sa ndryshoj nga ekrani. Ju siguroj që në jetën e përditshme nuk ndryshoj thuajse fare. Sigurisht nuk jam në një reality show, ku 24 orë gjithçka është e lexueshme.Të falënderoj për fjalët përcaktuese, ishin fjalë të ëmbla, por ka një diferencë: Kur je jashtë ekranit, jo gjithnjë mund të jesh e tillë, pasi nëse të duhet që të dashurit t’ia paketosh rrobat dhe t’i thuash mirupafshim, në ekran këtë histori e rrëfen sikur sapo e ka bërë Eva Longoria.Lexoni horoskopin shenja Gaforrja, ndoshta do të kuptoni pak më shumë si mund të jem unë në një raport, dy detaje: Gaforret nuk ecin drejt në ujë i bien përreth se kanë frikë dhe ju pëlqen dielli, ngjyrat, por nëse padashur i zë rrugën, aha këtu më duhet t’ju lë me një këngë të Nelly Furtados: “Manneater”.

-Ndërkaq, në rrjetin social Facebook shkruhet se “familja është thesari juaj”. Keni menduar të krijoni familje apo bota e spektaklit është prioritare në planet tuaja?

-Në fakt, jetën time e kisha planifikuar sipas modelit të familjes time, e cila është vërtet thesari im më i çmuar. Do të mbaroja studimet, do të njihja dashurinë dhe gjithçka tjetër do të vijonte në procesin e zakonshëm, që të gjithë duan apo jo do t’i binden një ditë.Por jeta më kishte rezervuar shumë befasi të bukura. Profesioni im, të cilit iu përkushtova për shumë vjet ishte piktura dhe në botën time ndihesha mrekullisht mirë. Por bota e televizionit më ka çuar në të tjera dimensione.Kësaj radhe shumë të prekshme të përjetuara, jo thjesht të ruajtura, që mbeten aty dhe kur unë të jem bërë 80-vjeçe. E bukura e punës në televizion, mbetet ura lidhëse, në të cilën shndërrohesh, mes njerëzve dhe një studioje.