A ekziston jeta pas vdekjes?

loading...


Jeta, kjo dhuratë që çdo qenie e krijuar dhe veçanërisht ajo njerëzore, e merr nga paraardhësit e tyre, është gjëja më e vlefshme dhe e paçmuar brenda kohës dhe hapësirës, në këtë ‘shtëpi’ të përbashkët që e quajmë bota jona. Konceptet për jetën janë të ndryshme, por në thelb ato thonë të njëjtat gjëra. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, jeta është veti thelbësore e qenieve të gjalla, që lindin, zhvillohen, ndryshojnë dhe vdesin. Ose, jetë quhet koha se sa jeton një qenie e gjallë, koha nga lindja deri në vdekje. Në këto formulime për fjalën “jetë”, dallohet shumë qartë se jeta në këtë botë ka një fillim, që quhet lindje dhe një fund që e quajmë vdekje; për të parën gëzojmë të gjithë, përveç atij që lindi, për të dytën – vdekjen, hidhërohen të gjithë, të afërm dhe miq, së bashku me atë që po jep shpirt dhe është i vetëdijshëm për vdekjen e tij. Vdekja, që si koncept do të thotë, ndalimi i veprimtarisë jetësore të organizmit të njeriut, jo vetëm që nga emri të tremb, por është borxhi dhe armiku më i madh i njeriut. Ashtu siç uji për zjarrin, që kërkon ta shuajë shkëlqimin dhe krenarinë e tij, kështu është edhe vdekja, që i shuan të gjitha gëzimet, lavdinë e jetës dhe i gropos në një varr të errët. Këtë gjë e thotë të përmbledhur një himn i vjetër kishtar i shekullit VIII: “Kotësi janë gjithë gjërat njerëzore, që s’qëndrojnë pas vdekjes; nuk mbetet pasuria, nuk vete pas lavdia, se me të ardhur vdekja, këto të gjitha zhduken…(Shërbesa e varrimit). Ne njerëzit jemi mësuar me këtë paradoks të vetë jetës, pra “lindim, jetojmë për të vdekur”. Kjo na duket e zakonshme, si një ligj natyral që ne nuk mund ta kundërshtojmë, duke bërë edhe indiferentin ose moskokëçarësin, siç thuhet rëndom: “Le të bëhet ç’të bëhet, se për të vdekur kemi”. Por kur vetë vdekja na afrohet dhe dëgjojmë hapat e saj të frikshëm të bashkuar me ankthin e tiktakut të fundit të zemrës, sa mizore dhe e padrejtë na duket ajo, për ne dhe për të afërmit tanë, dhe sa e pakuptueshme dhe e kotë na duket vetë jeta në këtë botë! Ata që mendojnë në këtë mënyrë për vdekjen, përpiqen sa të kenë mundësi dhe kohë të thithin deri në palcë kënaqësitë e jetës me çdo çmim, sipas parimit materialist “Të hamë sot, se nesër do të vdesim”. Por ky konceptim i jetës dhe vdekjes, pavarësisht se na duket i logjikshëm, i patjetërsueshëm dhe fatalist, nuk është i vetmi për të gjithë njerëzit në çdo kohë. Disa nuk e shikojnë vdekjen si fundin e jetës, por si prologun (fillimin) e një vazhdimi jete më cilësor, me një tjetër dimension, përtej kohës dhe hapësirës që na i kufizon kjo botë. Por lind pyetja kureshtare: Kush erdhi nga jeta tjetër që të na e tregojë dhe ta besojmë? Gjatë historisë së njerëzimit, ka pasur shumë raste të tilla, që njerëzit e kanë parë dhe treguar për të. Por që të mos biem në spekulime, le të përmendim disa fakte që janë gjithëpërfshirëse për të gjithë njerëzit dhe le t’i analizojmë ato.
1. Të gjithë njerëzit, pavarësisht se e pranojnë vdekjen si fenomen, nuk e duan atë, vetëm n.q.se kanë rënë në dëshpërim ose kanë humbur arsyen. Kjo tregon se vdekja nuk është diçka natyrale, si çdo instinkt dhe nevojë e jetës, si ushqimi, riprodhimi, gjumi etj. Njerëzit e ndjejnë dhe e duan pavdekësinë dhe kacafyten me vdekjen për ta mundur atë me çdo mënyrë. P.sh.: disa të pasur kanë investuar për këtë gjë, duke paguar shuma të mëdha dhe ua kanë lënë trupat e tyre “agjencive”, që i mbajnë këta trupa në gjendje të ngrirë, që kur të shpiket ilaçi i pavdekësisë të mund të ringjallen përsëri. Revista “Times” pretendon se, “pas 35 vjetësh njeriu do të arrijë të jetë i pavdekshëm”; kjo me anën e teknologjisë kompjuterike dhe manipulimin në kodin gjenetik. E gjitha kjo antipati dhe kundërshti për vdekjen dhe me vdekjen, tregon se njeriu e aspiron pavdekësinë dhe kërkon atë që ekziston, jetën e përjetshme, dhe nuk mund ta kërkojë atë që nuk ekziston, siç është vdekja, e cila nuk është ekzistencë në vetvete, por e kundërta e jetës.
2. Një tjetër fakt është kulti i të vdekurve, i cili vjen që nga lashtësia, qytetërimi primitiv e deri tek ai i sotëm modern. Varrimi i kufomës së njeriut të vdekur ishte i shoqëruar me rite ceremoniale, së bashku me mjete simbolike të cilat tregonin bindshëm se njerëzit, që kishin mbetur gjallë, besonin se i vdekuri nuk kishte humbur si qenie, por kishte kaluar në një tjetër dimension, në botën e të vdekurve. Kaq e sigurt ishte kjo gjë, saqë në varret e të vdekurve vendoseshin ushqime, objekte, monedha, që sipas besimit të tyre, i duheshin të vdekurit për botën tjetër. Kjo traditë gjendet pothuajse në të gjithë botën, po ashtu edhe në vendin tonë. Varrezat në lashtësi ishin të ndërtuara me gurë dhe themele të forta (si tumat, piramidat etj.), ndryshe nga shtëpitë e jetës së përditshme të ndërtuara me mjete rrethanore. Kjo tregon se njerëzit besonin se jeta e tanishme është e përkohshme dhe nuk ia vlen të bësh shumë investime, kurse ajo përtej varrit është e përjetshme, që ia vlen të investohet seriozisht. Gjithë historia e njerëzimit është ekzaminuar në shumicën e informacionit, te varret ku njerëzit akumulonin të gjithë përvojën, diturinë, artin, kulturën e tyre, për ta transmetuar për në jetën e përjetshme, nëpërmjet shpirtit të të vdekurit. Varrezat tregojnë shkallën e qytetërimit të tyre. Por edhe në kohën e sotme, ku u përhapën idetë ateiste dhe pragmatiste, përsëri investimi për varrezat madhështore nuk është zbehur, sepse njerëzit “modernë”, pavarësisht se nuk mund të besojnë në jetën përtej varrit, e kanë të vështirë të shkëputen nga të afërmit dhe të pranojnë faktin se ata janë kthyer në hiç dhe nuk ekzistojnë më. Kjo gjë tregon se në subkoshiencën e çdo qenieje njerëzore, edhe atë “ateiste”, besohet se ka diçka përtej varrit.
3. Një tjetër fakt janë ëndrrat që të gjithë njerëzit kanë parë. Ëndrrat përcaktohen si një varg idesh, parafytyrimesh dhe emocionesh të palidhura, që shfaqen në mendjen e njeriut ose një ndërlidhje e ngjarjeve imagjinare, personave, në të cilat ai që fle paraqitet si zgjuar. Sipas psikologëve, ëndrra është një gjendje ndërmjet koshiencës dhe subkoshiencës. Gjatë gjumit, trupi fle dhe të pesta shqisat pushojnë, të parit, të shijuarit, të dëgjuarit, të nuhaturit dhe të prekurit, ndërsa pjesa tjetër e organizmit vazhdon funksionimin. Teoricienët bashkëkohorë besojnë se ëndrrat janë pasojë e ngjarjeve të rastësishme nervore dhe doktor Francis Krik (nobelist) thotë, se gjumi REM (koha e gjumit 20%, ku pothuajse të gjithë muskujt paralizohen, sytë lëvizin dhe ëndrrat shfaqen) ripërtërin koren e trurit duke pastruar qarqet, dhe shërben si një mekanizëm mësimi i anasjelltë, “ëndërrojmë që të harrojmë.” Pra sipas këtij koncepti, ne mund t’i konsiderojmë ëndrrat thjesht si një shkarkesë fiziologjike të trurit. Por ky vetëm është një mendim nihilist (mohues) dhe fyes i çdo ëndrre, që ka parë njeriu që nga lashtësia, të cilat kanë kuptim dhe mesazhe të sakta që vijnë nga një botë tjetër. Njerëzit e lashtë besonin se ëndrrat e natës përbëjnë mesazhe të fuqishme të mbinatyrshme të perëndive drejtuar njerëzve, sidomos ëndrrat e mbretërve. Homeri tek “Iliada”, 1:63 thotë: “Çdo gjë që sheh në ëndërr është nga Perëndia”. Në Bibël, libri më i përkthyer në botë, i shkruar prej një hapësire 1600-vjeçare, nga njerëz të frymëzuar me status, kulturë dhe vende të ndryshme, na përmenden shumë ëndrra me anë të të cilave Perëndia bëri të njohur vullnetin e Tij te njerëzit. Nuk do të dilte koha t’i përmendim këto ëndrra, si ajo e Faraonit të Egjiptit, që e interpretoi Josifi i drejtë (Zan. 37:5); ose e mbretit babilonas Nabukodonosorit, e interpretuar nga profeti Daniel (Dan. 2); ose në Dhiatën e Re, ëndrra e Josifit, vlesorit (Math. 1:20) e magëve (astrologë) (Math. 2:12) etj. Të gjitha këto u vërtetuan në realitet se ishin mesazhe të qarta dhe të sakta që vinin nga një tjetër botë, ajo shpirtërore, dhe u realizuan në këtë botë materiale. Gjithashtu, secili prej nesh ose të afërmit tanë ka parë në ëndërr realitete që nuk janë të kësaj bote, dhe mbi të gjitha njerëz të afërm që kanë jetuar në këtë botë, por kanë vdekur, të cilët shfaqen në ëndërr me pamjen dhe zërin e tyre dhe iu bëjnë të ditur atyre që ëndërrojnë, fakte, ngjarje që ndodhin saktësisht në realitet. Këtu patjetër ka edhe spekulime që vijnë nga forcat e errëta djallëzore, ose edhe nga vetë personi që ëndërron, por jo të gjitha janë të tilla. Prandaj, ëndrrat e vërteta mund t’i quajmë si telefonata të botës shpirtërore. Ëndrrat tregojnë se shpirti i njeriut ndjen dhe jeton përtej gjumit, ashtu sikundër përtej vdekjes. Në fund të fundit, gjumi është një vdekje e vogël, një përngjasim dhe ikonë e vdekjes, dhe zgjimi, një shëmbëllesë e ngjalljes. Prandaj për besimtarin vdekja quhet fjetje dhe varrezat qimitir (fjetore).
4. Ka disa eksperienca mbinatyrore, që iu ndodhin disa njerëzve të cilët janë në prag të vdekjes. Këtë na e bëjnë të ditur të afërmit e tyre që u rrinë pranë, ose siç thuhet, që i përgjojnë në çastet e fundit. Ata që janë duke dhënë shpirt thonë se janë të rrethuar nga njerëz të afërm që kanë vdekur dhe që i ftojnë në botën tjetër. Ose, për rastet kur njerëzit kanë pësuar një vdekje klinike dhe mbasi rikthehen në jetën normale, tregojnë se panë një tjetër dimension të jetës dhe takuan njerëz të afërm. Madje shprehen, se do të ishte më mirë për ata të mos ktheheshin, sepse atje në botën tjetër ishte më mirë se këtu në tokë, njerëzit ishin më të dashur dhe gjërat ishin më perfekte. Kjo u ka ndodhur edhe njerëzve të njohur, që kanë dhënë për vete dëshmi publike.
5. Ka të tjerë njerëz që lidhen me botën e shpirtrave me anë të ritualeve dhe formulave magjike. Këta quhen mediumë që thërresin “shpirtrat”, të cilët shfaqen me zë dhe figurë të personit që ka vdekur, por pavarësisht faktit, kjo është një praktikë spekulative dhe një shfaqje demonësh të cilët marrin formën dhe zërin e personave të vdekur, dhe kështu gënjejnë të afërmit e tyre, sepse shpirtrat nuk mund të qarkullojnë lirshëm. Ata janë të vendosur në vende të caktuara dhe nuk mund të lëvizin pa lejen e Perëndisë, që është Zot i të gjallëve dhe i të vdekurve.
6. Në botë, sipas gazetës “Telegraf”, “sot ka mbi 7 miliardë banorë; vetëm 1.1 miliardë janë ateistë, të cilët nuk besojnë në ekzistencën e jetës pas vdekjes. Kurse të tjerët, pavarësisht këndvështrimit të besimit, besojnë se ka një jetë tjetër pas vdekjes. Fetë monoteiste, krishterimi, islami, judaizmi, besojnë se pas vdekjes shpirti jeton dhe gjykohet nga Zoti, duke u vendosur pranë Perëndisë në gëzim të përjetshëm, dhe ky vend quhet parajsë (ose xhenet), ose shkon në ferr (xhehenem) dhe vuan përjetësisht bashkë me djallin dhe demonët. Fetë lindore, budizmi, hinduizmi, taoizmi etj., kanë një tjetër teori mbi jetën e shpirtit mbas vdekjes. Është ajo e rimishërimit (rikarnacion, metansarkosi). Kjo teori thotë, se mbas vdekjes së trupit, shpirti i njeriut hyn në një trup tjetër njeriu ose kafshe. Kështu shpirti i nënshtrohet një rrethi të pafund lindjesh dhe vdekjesh, që përsëriten si një mundim i vazhdueshëm derisa të arrihet përsosmëria. Kjo teori është e lashtë; vjen nga fetë pagane të Babilonisë, Egjiptit, Greqisë dhe Romës.
7. Por përveç këtyre fakteve që na vijnë nga perceptimi shpirtëror dhe filozofik i jetës mbas vdekjes, le të përmendim edhe një fakt që vjen nga vetë shkenca, sipas teorisë materialiste të Antonie Lavoisier (shek.XVIII), se “asgjë nuk zhduket, por transformohet”. Shkencëtari i shekullit XXI, Robert Lanca, ekspert i teknologjisë së avancuar i qelizave embrionale, thotë: “Vdekja nuk është akti final…”
Të gjitha këto argumente të cilat janë subjektive, filozofike, fetare dhe shkencore, na tregojnë se vdekja nuk është një fund, por një fillim i një tjetër jete.
Po çfarë është vdekja? Vetë shkenca e mjekësisë që studion procesin e vdekjes thotë se vdekje është “plakja qelizore, që është një proces kompleks me shumë shkaqe”, dhe për sa i përket zbulimit me detaje në imtësi të procesit të vdekjes apo pikës së nisjes së saj, asnjë shkencëtar apo mjek nuk ka arritur deri më sot të gjejë një fakt shkencor të vërtetuar të tregojë pse ndodh vdekja. Pra, ajo është përtej ekzaminimit dhe arsyetimit tonë, është një mister i padepërtueshëm.
Koncepti i Kishës Orthodhokse për vdekjen, është se Perëndia Krijues nuk e krijoi vdekjen, por ajo erdhi si një aksident në jetën e njeriut. Njeriu u krijua sipas ikonës së Perëndisë me potencialin për të qenë i pavdekshëm, por ai pësoi vdekjen shpirtërore dhe pastaj fizike kur shkeli porosinë që Zoti i tha: “Mos ha nga pema e së mirës dhe e së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri. (Zan. 1:17) Ja çfarë thotë urtësia e Solomonit: “Perëndia nuk e krijoi vdekjen, dhe nuk kënaqet në shkatërrimin e të gjallëve, sepse ai i krijoi të gjitha që të jetojnë”. (Ur. Sol. 1:13)
Pra vdekja është rezultat i mëkatit fillestar, ajo është fitorja përfundimtare e djallit, rezultat i aktivitetit të tij shkatërrimtar, si njerivrasës që nga fillimi. Trupi i njeriut mund të kishte ndryshuar dhe evoluar gjatë periudhave të mëdha të kohës, por ai nuk do ishte ndarë nga shpirti i tij për t’u kthyer në dhè. Dhe vetë shpirti i njeriut nuk do të kishte humbur pushtetin e tij mbi trupin duke e braktisur atë.
Kisha beson se njeriu është i përbërë nga dy natyra, shpirt edhe trup. Ashtu siç na thuhet në Bibël: “Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete dhe njeriu u bë një qenie e gjallë”. (Zanafilla: 2.7) Njeriu nuk është vetëm trup, ose e kundërta, vetëm shpirt, sepse njeriu përbëhet nga uniteti i mistershëm i këtyre dy natyrave, fizike dhe shpirtërore. Trupi pa shpirtin është kufomë dhe shpirti pa trupin është fantazmë. Mësimi i Kishës ka qenë gjithmonë, se njeriu i plotë është uniteti i shpirtit me trupin. Megjithëse trupi është pjesë përbërëse e njeriut dhe i përbërë nga dheu [kripëra minerale, si kalium (K), natrium (Na), hekur (Fe), azot (N), fosfor (P), kalcium (Ca), magnez (Mg) etj.], ai është një “send” ose instrument dhe banesë e shpirtit që është vetë personi (uni njerëzor). Shpirti si fjalë vjen nga hebraishtja, “ruah”, në greqishten e vjetër “psyche” dhe në latinisht “anima”, që do të thotë “frymë”, një qenie e gjallë që lëviz veçanërisht për sa u përket funksioneve mendore edhe mbas vdekjes së trupit. Shpirti është një substancë jomateriale dhe përbëhet nga mendimi, vullneti dhe dëshira. Ai është i padukshëm për sytë fizikë, ashtu siç janë të padukshme dhe energjitë e tij, dashuria, urrejtja, përdëllimi, lakmia etj., por që bëhen të dukshme nëpërmjet gjesteve dhe veprimeve të trupit. Shpirti është ai që i jep jetë trupit, pa atë trupi është i vdekur. Shpirti jeton pa trupin, sepse është qenie e gjallë, ndërsa trupi kalbet pa shpirtin. Shën Agustini, filozof, shek. IV-V, thotë se “shpirti është substancë e arsyeshme e aftë që të drejtojë trupin. Shpirti është burimi i parë i jetës, ai nuk ka natyrë trupore, por është të qenët e trupit”. Shën Kozmai i Kolkondasit, shek. XVII, thotë për shpirtin: “Shpirti është njeriu, shpirti është ai që shikon, dëgjon, flet, ecën dhe mëson”. Filozofi Rëne Dekart, shek. XVI, thotë: “Shpirti është një substancë shpirtërore të cilën e ka krijuar Zoti dhe nuk varet nga materia; shpirti gjendet në hipofizë, vetëm njeriu ka shpirt”. Lidhja dhe bashkëpunimi ndërmjet shpirtit dhe trupit ndërpritet me vdekjen, që nuk është e natyrshme, prandaj është e dhimbshme ndarja e shpirtit nga trupi, si një shqyerje. Shpirti i cili del nga trupi, paraqitet përpara Perëndisë, që është Krijuesi i shpirtit dhe gjykatësi i tij, kurse trupi shkon nën dhè, se nga dheu u mor. Shpirti që është vetë njeriu, kalon në disa etapa derisa gjykohet përfundimisht. Këto etapa gjykimi ndodhin në ditën e tretë, të nëntë dhe të dyzetë mbas ditës së vdekjes. Në këto ditë të krishterët e kujtojnë shpirtin e të fjeturit me shërbesa fetare, me mesha, përshpirtje, lëmosha, bamirësi, me falje borxhesh ose armiqsh. Të gjitha këto veprime i atribuohen dhe i kalojnë në llogari shpirtit të të fjeturit, i cili pret të gjykohet në peshoren e drejtë të Zotit. Shpirti nuk mund t’i rregullojë më gjërat e lëna përgjysmë në këtë botë, dhe për këtë e ndihmojnë të afërmit e tij. Edhe të fjeturit na ndihmojnë ne të gjallët me lutjet e tyre te Zoti. Ashtu si të gjallët, edhe të vdekurit bashkohen dhe ndihmojnë njëri-tjetrin me, dhe në Krishtin, që është Zoti i jetës dhe vdekjes i të gjallëve dhe i të vdekurve.” Vdekja për besimtarin nuk është e frikshme, sepse ajo është si një portë që hapet për të shkuar te Zoti, që ai e ka besuar dhe i ka shërbyer gjatë gjithë jetës. Vdekja nuk mund t’i ndajë njerëzit që e duan njëri-tjetrin, ashtu siç nuk i ndan distanca në këtë botë, kur njerëzit rrinë larg njëri-tjetrit. Ajo e shton mallin e pritjes për t’u ritakuar përsëri. Sepse ndarja e shpirtit nga trupi nuk do të jetë e përjetshme. Të krishterët orthodhoksë besojnë se do kemi ngjalljen e të vdekurve, ribashkimin e trupit me shpirtin, ashtu siç u ngjall i pari ndër të vdekurit Krishti, i cili, si Biri i Zotit dhe Biri i njeriut e mundi vdekjen në emër të të gjithë njerëzimit me vdekjen dhe ringjalljen e Tij. Ai do të vijë në ditën e fundit të botës që të gjykojë të gjithë njerëzit me shpirt dhe me trup, duke asgjësuar përfundimisht armikun e fundit të njeriut që është vdekja, siç thotë apostull Pavli: “Ja po ju them një mister: të gjithë nuk do të vdesin, por të gjithë do të shndërrohemi në një çast sa hap e mbyll sytë, nën tingullin e borisë së fundit, sepse do të bjerë boria e të vdekurit, do të ringjallen të paprishëm dhe ne do të shndërrohemi, sepse kjo prishje duhet të veshë mosprishjen dhe e vdekshmja të veshë pavdeksinë…atëherë do të realizohet fjala që është shkuar: vdekja u përpi nga fitorja, o vdekje ku është gjëmba jote…por falenderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jisu Krisht. (1 Korinthasve: 15: 51-57)
Kjo është shpresa dhe pritja e të krishterëve për jetën përtej vdekjes!
AV1

loading...

loading...