A do ta thyejë Ronaldo rekordin kundër Bayernit?

Nëse shënon kundër Bayern Munichut të martën mbrëma, Cristiano Ronaldo do të vë një rekord të ri për numrin e golave të shënuar brenda një sezoni në Ligën e Kampionëve.

Superylli i Real Madridit ka shënuar 14 gola deri më tani në garën më të madhe evropiane këtë edicion duke barazuar rekordin e sulmuesit të Barcelonës, Lionel Messi (2011/2012) dhe të legjendës së Milanit, Jose ‘Mazzola’ Altafini (1962/1963, kur gara quhej Kupa e Evropës).

Në rast se shënon në Allianz Arena, 29-vjeçari do të jetë rekorderi i vetëm me më së shumti gola në Ligën e Kampionëve (duke përfshirë edhe periudhën kur quhej Kupa e Evropës).

Sezoni i mirë i CR7 në garën prestigjioze filloi që në ndeshjen e parë të fazës grupore kundër Galatasarayt, kur realizoi het-trik. Ai vazhdoi të shënonte dhe vendosi rekord të fazës grupore me nëntë gola të realizuar.

Ronaldo ishte golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve për sezonin e kaluar, ndërsa edhe këtë sezon do të jetë po ai. Vetëm mbetet të shohim nëse do të vë rekord të ri.