45 mijë euro kushtoi klipi i Tunës (Video)

Këngëtarja Altuna Sejdiu (Tuna) sapo ka hedhur në treg këngën dhe klipin e saj më të ri në bashkëpunim me reperin kosovar Ghetto Geasy (Getoar Selimi). Videoklipi është realizuar në Turqi, në dy vende të ndryshme: klipi promovues në Xanadu Resort dhe videoklipi i këngës në Mardan Resort.

Sipas një burimi të afërt të këngëtares kemi mësuar se në fakt realizimi i këtij videoklipi i ka kushtuar Tunës plot 45.000 Euro.

Për look-u e saj është kujdesuar parukierja e këngëtarit të njohur Prince, Sharon Boadie, ardhur posaçërisht nga Xhamajka për këtë klip, e këtë të fundit me shumë gjasa Tuna e ka njohur në kohën kur gjendej me pushime me Cosman-in në Xhamajka, transmeton Anabel.

Ndërsa për veshjen Tuna ka preferuar sërish Niko Komani-n, bashkëpunëtorin e saj të ngushtë edhe në projektet e mëparshme e gjithashtu ka sfiduar veten duke asistuar edhe vetë në styling.

Kontaktuar nga Anabel, Fashion Editor-i dhe kuruesi i imazhit të këngëtares Niko Komani pohoi: “Kontributë ka dhënë edhe Linda Imami e cila është treguar e gatshme për t’i dhënë jetë idesë sime dhe të Tunës për të sjellë një risi, për të krijuar një kostum trupor, duke stampuar mbi të të gjitha thashethemet që janë shkruar për këngëtaren vitin e fundit”.

Pjesë e projektit ka qënë edhe një skulptor kosovar i cili ka konstruktuar apostafat për Tunën veshjen gold “Fenix Costum”, skicuar nga bashkëpuntorët e këngëtares quajtur ndryshe “Fenix Team”, të cilët janë gjithmonë e në kërkim të gjërave unike. Mësuam se skulptorit iu deshën 28 ditë për të realizuar kostumin në fjalë.

Ndër të tjera veshje të përdorura në klip nga Tuna janë marka si KTZ, Ashish, Nasir Mazhar, Giuseppe Zanotti, Versace, Jeffrey Campbell ndërsa Getoari mban veshur Givenchy, Kenzo, Versace.

Xhirimet dhe montazhi i klipit janë realizuar nga Entermedia, nën regjinë e Dejan Iliçeviç dhe vetëm 2 ditë pas hedhjës së “MMV” në Youtube, videoklipi ka arritur më shumë se 466.000 klikime.