3 mijë tifozë kuqezi në Oslo, Shqipëria don fitore

loading...

tkz

loading...
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, nuk kënaqet me një pikë. Ai kërkon fitoren nga të përzgjedhurit e tij në ndeshjen që do të luhet të premten (sot, 19:00) në Oslo, kundër Norvegjisë vendase. Pas stërvitjes në stadiumin “Ullevaal” ku do të luhet ndeshja eliminatore për botërorin “Brazili 2014″, De Biasi është shfaqur me humor të mirë në konferencën për media. “Nuk kënaqem me një pikë. Nëse do hyja për barazim në fushë, më mirë të mos vija deri këtu. Për ne kjo ndeshje është vendimtare për kualifikimet. Nëse marrim rezultat pozitiv, mund t’ia dalim”, ka thënë italiani.

Ekipi kombëtar ka mbërritur të premten në mëngjes në Oslo, ndërkohë që pasdite ka zhvilluar dhe një seancë stërvitore në temperatura tepër të ulëta. Por, kjo nuk e ka shqetësuar trajnerin. “Gjithçka është ‘ok’, duhet vetëm pak minuta më shumë nxehje dhe ky problem kalon”, tha ai.

Kjo ndeshje vlerësohet si më e rëndësishmja e ciklit eliminator, meqë Shqipëria në rrugëtimin e saj drejt Brazilit sheh pikërisht Norvegjinë si rivalen më të madhe për pozitën e dytë në grup. Aktualisht, Norvegjia është e dyta me shtatë pikë, kurse Shqipëria është e treta me një pikë më pak. Bashkë me Kombëtaren në Norvegji ka udhëtuar dhe kosovari Migjen Basha. Ai mori lejen nga FIFA të luajë me Shqipërinë të martën dhe në këtë ndeshje ai pritet të debutojë. De Biasi nuk ka folur për formacionin, por mediet në Shqipëri shkruajnë se Basha mund të luajë nga minuta e parë. “Shpresoj të debutoj me fitore. Norvegjezët janë të fortë, por jo të pathyeshëm”, tha Basha. Ai pati luajtur një ndeshje me ekipin U21 të Zvicrës dhe nuk i lejohej paraqitja me Shqipërinë, derisa FIFA nuk dha leje të veçantë.

E fitore kërkon dhe ekipi vendas. Madje, norvegjezët janë të bindur në të. Trajneri Egil Olsen ka paralajmëruar lojë ofensive. “Do të sulmojmë me topa të lartë e të shpejtë. Loja e shpejtë dhe ofensive është çelësi. Natyrisht se duhet të kemi kujdes nga kundërsulmet dhe duhet të shfrytëzojmë rastet që i krijojmë. Do të luajmë në gjysmën e tyre të fushës. Gjuajtjet standarde po ashtu do të jenë shumë të rëndësishme për ne”, ka thënë Olsen, përcjellin mediet norvegjeze të enjten. “Natyrisht ne do të mposhtim Shqipërinë, për këtë nuk ka dyshim. Çdo gjë tjetër do të ishte dëshpërim i madh. Edhe një barazim do të ishte zhgënjyes. Shqipëria më ka impresionuar, por jo aq sa të them se ne nuk mund ta mposhtim”.

Kombëtarja shqiptare zhvilloi dhe stërvitjen e fundit në stadiumin Uleval Shtadion të Oslos, para ndeshjes eliminatore për botërorin Brazil 2014 ndaj Norvegjisë. Në një të ftohtë të acartë , me temperatura që shënonin – 5 gradë celcius, kuqezinjtë u shfaqën të qeshur gjatë seancës, me trajnerin De Biasi që mori dhe shënimet e fundit përsa I përket ndeshjes me skandinavët. Tekniku Italian, në fakt, me atë që pa dhe në stërvitje duket se e vendosi përfundimisht dhe formacionin që do të zbresë në fushë, ku me shumë gjasa do të konfirmojë të njëjtën emra, përjashto ndonjë ndryshim të momentit të fundit, sic u bënë të ditur dhe në edicionet e Sport News.

Kështu në rreshtimin e italianit, 4-4-1-1, prite të luajnë, Berisha në portë, Dallku, Cana, Mavraj dhe Agolli në mbrojtje, Lila, Basha, Bulku dhe Roshi në mesfushë e Salihi pak më i tërhequr në sulm me Canin që do të jetë pykë e vetme. Gjithsesi në Norvegji, kombëtarja kuqezi, sipas informacioneve pritet të ketë dhe mbështetje nga një numër i konsiderueshëm tifozësh kuqezi, të cilët pritet të jenë rreth tre mijë në stadiumin e Oslos, për të bërë më të nxehtë atmosferën në Uleval Shtadion.

loading...