2 të vdekur nga një sulm me armë kimike në Siri

loading...

loading...
Tjetër sulm me armë kimike në Siri, me një bilanc prej të paktën 2 viktimash dhe rreth 100 persona të tjerë me probleme me frymëmarrjen.
Lajmi konfirmohet si nga televizioni shtetëror ashtu edhe nga observatori sirian për të drejtat e njeriut.

Sulmi ndodhi në provincën Hama në fshatin Kafër Zita. Televizioni shtetëror sirian akuzoi grupin xhihadist Al-Nusra se kishte përdorur bomba me klorinë helmuese.

Ndërsa grupe të opozitës cituan mjekë, të cilët ndodheshin në vendngjarje të kenë thënë se avionët ushtarakë, gjatë bombardimeve në fshatin Kafr Zita kishin hedhur edhe fuçi të mëdha, duke krijuar një re gjigande tymi, që çoi edhe në helmimin e banorëve të zonës.

Televizioni arab Al-Arabija raportoi për dy incidente të tjera gjatë së premtes ku ishin përdorur armë kimike, në Harasta dhe në zonat periferike verilindore të Damaskut.

Tashmë është mjaft e vështirë të vërtetohet se kush është përgjegjës për këto sulme. Kjo është hera e dytë, që në konfliktin sirian përdoren armë kimike.

Një ngjarje e tillë ndodhi në gusht të vitit të shkuar pranë kryeqytetit, ku humbën jetën qindra person a, duke bërë që perëndimi të përgatitej për sulm ajror ndaj regjimit të Asad.

Por sulmi u anulua pas ndërhyrjes së Rusisë, që luajti një rol ndërmjetës mes perëndimit dhe regjimit aleat të Asadit, ku u ra dakord për shkatërrimin e arsenalit kimik sirian, jashtë vendit.

loading...