10 vite që është në gjendje kome !!

loading...

problemi-q-euml-asnj-euml-institucion-n-euml-kosov-euml-nuk-di-ta-zgjedh-e-reja-23-vje-ccedil-are-q-euml-10-vjet-n-euml-gjendje-kome_hd

loading...

Liridona Gashi, 23 vjeçare, për 10 vite është në gjendje kome. Ajo ishte dërguar në Zvicër për trajtim mjekësor në vitin 2005, por pas tri viteve autoritetet zvicerane e transferuan atë në Kosovë.
Kthimi i saj ishte bërë bazuar në marrëveshjen e Institucioneve të Kosovës me shtetin zviceran, ndërmjetësues i së cilës ishte UNMIK-u, ka bërë të ditur për Radio Kosovën Ambasada zvicerane në Prishtinë.

“Në tetor 2005, znj. Gashi ka udhëtuar për në Zvicër për arsye mjekësore. Ndërsa, për arsye të mbrojtjes së personalitetit dhe të dhënave, Ambasada zvicerane nuk mund të japë informata të mëtejme rreth kësaj çështje. Në nëntor të vitit 2008, autoritetet kompetente të Zvicrës kanë kthyer familjen në Kosovë. Kthimi the transferimi në Kliniken ‘Euromed’ është bërë bazuar në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje të arritur mes Zvicrës dhe institucioneve të Kosovës përmes UNMIK-ut”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës zvicerane, në Prishtinë.

“Që nga ajo kohë, vajza mbeti barrë e Klinikës private ‘Euromed’. Klinika thuhet se paguan të gjitha shpenzimet ditore, ku hyjnë terapia e përditshme, kujdesi për higjienën e saj dhe nevojat tjera”, thotë Leart Jakupi, njëri nga pronarët e kësaj klinike.

Learti thotë se janë në pikë të hallit, sepse përpos shpenzimeve për tretmanin që duhet t’i ofrohet pacientes, ata kërcënohen vazhdimisht nga familjarët e saj të cilët fajësojnë drejtorin e kësaj Klinike, mjekun Habib Jakupi, se pse kishte pranuar që vajza të shtrohej në klinikën e tij. Gjithë kjo bëhet sepse ata kishin shpresuar për rregullimin e lejeqëndrimit në Zvicër.

“Sikur ta dinim se në çfarë gjendje do të vinim, ne as që e kishim pranuar. Ne nuk e kemi njohur familjen e vajzës dhe askënd tjetër lidhur me të. Ne në këtë rast e kemi partner Qeverinë e Kosovës dhe ambasadën e Zvicrës. E kanë sjellin vajzën në vitin 2008 dhe po në atë kohë babai im e merr një thirrje prej babës se vajzës i cili i thotë: ‘Nuk e paskam ditur që vajza ime e paska edhe një prind tjetër… ty ta kam parë sherrin, se na ke kthye në Kosovë’. Pas kësaj, babai im urgjentisht e merr Ambasadën në telefon, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Policinë. Policia vijnë, nga Ambasada vijnë. Ministria e Mirëqenies Sociale e kishte sjellë vajzën dhe e kishte lutur babanë që ta pranojë për një periudhe të shkurtër kohore, duke i premtuar se shumë shpejt do ta largonin nga aty”, thotë Learti.

Ambasada zvicerane shpjegon se nuk ndiejnë asnjë obligim legal as ndaj Kosovës e as ndaj familjes Gashi, por se për arsye humanitare kanë intervenuar disa herë te Ministrat e Shëndetësisë për ta zgjidhë këtë çështje.

Se Ambasada zvicerane ka bërë përpjekje për të gjetur një zgjidhje për rastin, këtë e pohon edhe ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani. Ai tha për Radio Kosovën se është njoftuar me problemin, porse nuk ka dijeni se në llogari të kujt shkojnë shpenzimet për tretmanin e kushtueshëm ndaj pacientes.

Leart Jakupi shpjegon se ky institucion shëndetësor deri më sot nuk është kompensuar nga askush, përpos gjashtë muajt e parë nga Ambasada zvicerane.

“Qeveria e Kosovës duhet me e zgjidhë këtë rast. Ne po e mbajmë këtu, por nuk e di se ku duan me dalë njerëzit dhe institucionet me këtë rast. Na e kanë pru një paciente në derë dhe nuk e largojnë”, thotë ai

Ndërkohë, askush nga Institucionet nuk merr përgjegjësinë për ta zgjidhur këtë problem. Terapia dhe tretmani që i bëhet Liridonës, nga “Euromed” thonë se u kushton 200 euro vetëm për një natë.

Edhe për Curr Gjocin, drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, ky rast është i njohur. Në kohën kur nisi ky problem, Gjoci ishte zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Ka pasur disa përpjekje që pacienti të kthehet në sektorin publik, por nuk ka qenë gatishmëria e familjarëve. Në ketë rast, janë personat e autorizuar me ligj që të flasin në emër të pacientit. Sot, kjo çështje, me sa e di unë është në organet e drejtësisë. Ne si institucione publike kemi garantuar që mund të ofrojmë shërbime si për të gjithë qytetarët. Pra, SHSKUK-së është i gatshëm që të pranojë rastin, por në asnjë mënyrë që ta merr rastin me dhunë ose pa dëshirën e familjes, ose pa një urdhër të një institucioni i cili na obligon që ta marrim pacientin e ta transferojmë në institucionin tonë”, thotë Curri.

Learti, nga Klinika “Euromed”, thotë se familjaret e vajzës janë prezentë çdo ditë në klinikë, por se nuk pranojnë të bisedojnë për rastin e familjares së tyre.

“Vjen nëna, babai, vëllai… e neve nuk na flasin. As qe kemi mundësi të kontaktojmë me ta. Ata na llogaritin si fajtorë. Nuk mund të jemi fajtorë vetëm pse ishim spitali i parë privat i licencuar në Kosovë”, thotë ai, duke shtuar se shpenzimet në këtë rast kanë arritur në afro gjysmë milioni euro.

loading...