​Konfirmohet trajneri i ardhshëm i Shqipërisë (Foto)

Clarence Seedorf pritet të jetë trajneri i ardhshëm i Kombëtares shqiptare, duke zëvendësuar kështu trajnerin Gianni de Biasi
Pak ditë kanë mbetur, për të mos thënë orë, nga zyrtarizimi i trajnerit të ri të përfaqësueses së Shqipërisë.

Top Channel ka mësuar se takimet janë mbyllur dhe i fundit që është intervistuar është Luigi De Canio.

Ndërkohë, i preferuari i presidentit të FSHF-së mbetet Clarence Seedorf, ish-lojtari dhe trajneri i Milanit, i cili ka lënë një përshtypje shumë të mirë në grupin e intervistuesve.

Përveç kësaj është më pak i interesuar për paratë, duke qenë se i ofrohet një skuadër përfaqësuese për herë të parë, e kjo është një sfidë mbi financat, sidomos për një ish-futbollist, që paralelisht është edhe biznesmen.

Megjithatë, Seedorf është pjesë e trajnerëve pa eksperiencë, por një futbollist me shumë përvojë dhe me një CV të pasur, me dy fakultete, njëri prej tyre edhe “Bocconi” i famshëm i Milanos.

Diçka më prapa dy emrave të parë, por brenda pretendentëve, mbetet Christian Panucci, i cili gjithashtu njihet për eksperiencën e tij tepër të vyer si futbollist dhe si një emër i madh në fushat e blerta më shumë sesa si trajner, pavarësisht se ka qenë zëvendësi i Capellos te Rusia, e më pas në kampionatin italian ka drejtuar Livornon dhe Ternanën.

Me shumë mundësi, trajneri do të jetë njëri prej këtyre emrave, duke qenë se të 3 kandidaturat kanë pranuar edhe shifrën e ofruar nga FSHF-ja, për rreth 350 mijë euro në vit, për një kontratë dy vite e gjysmë, pra deri në përfundim të kualifikueseve të Europianit 2020.

Tani që janë plotësuar të gjitha kushtet nga disa prej alternativave kryesore, mbetet në dorën e presidentit dhe stafit të tij, për të vendosur mes eksperiencës, apo emrit të madh.